Derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit la pas edhe shumë polemika në lidhje me gjykimin. Eldorian Hamiti duket se nuk ka qenë në nivelin e kërkuar në supersfidën e kampionatit shqiptar. Në moviolën e kryer në emisionin “Skaner” në “MCN TV”, Bujar Pregja ka analizuar arbitrimin e bërë në derbi, ku ka avidentuar disa gabime të Hamitit.
Pak minuta përpara penalltisë së Tiranës, dy lojtarë shihet të kenë kontakte me njëri-tjetrin në fushë dhe sipas Pregjës gjyqtari duhet të kishte treguar kartonin e kuq për Najdovskin, që duket se godet kundërshtarin në fytyrë. Një rast ky që është ftuar nga VAR-i për tu parë, por kryesorin nuk e kanë bindur pamjet dhe ka vendosur të mos e tregojë kartonin e kuq.
Sa i përket rastit të penalltisë, në moviolën e emisionit “Skaner” vlerësohet si një vendim i saktë i arbitrit, i cili duhej të shihte VAR-in për pamje më të qartë dhe në fund akordimi i 11 metërshit ishte gjëja e duhur që duhej bërë.
Më tej evidentohet një tjetër gabim i Eldorian Hamitit, teksa mbrojtësi Sembene bën një ndërhyrje të ashpër në dëm të kundërshtarit që duhej ndëshkuar me karton të kuq. Transmetimi i pamjeve të ndërhyrjes ka shkaktuar edhe reagimet e panelit në studio, që kanë shprehur habinë se si një rast i tillë nuk është sinjalizuar as nga gjyqtari e as nga VAR-i./Halit Delibashi-Sport Ekspres/