VIDEO/ Një gol i çmendur i Isak si në “Play-Station” ndaj Kosovës, nuk ka surpriza në transfertën suedeze

Suedia ka fituar në shifrat 3-0 kundër Kosovës. Dardanët ishin më mirë në pjesën e parë, por arbitri do të ndikonte me penalltinë e dhënë. Pjesa e parë është mbyllur në shifrat 1-0, teksa Forsberg ka kaluar në avantazh vendasit. Goli do të realizohej nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 29.Por situata ka qenë tërësisht e pazakontë në kontrollin e VAR. Fillimisht arbitri ka shkuar për të konfirmuar rastin dhe pamja nuk po dilte në monitor. Një vonesë që ka zgjatur më shumë sesa 4 minuta, ndërsa do të nisnin edhe vërshëllimat.

Rrahmani shkoi për të bindur arbitrin se nuk kishte të bënte me një penallti, por në atë moment do të shfaqej edhe pamja te VAR. Arbitri do të vendoste për 11-metërsh në favor të Suedisë, megjithëse prekja e topit me dorë nga Hadërgjonaj ishte tërësisht e paqëllimshme dhe asnjë lojtar kundërshtar nuk ndodhej që të ndëshkonte dardanët, pra nuk kishim heqjen e një goli duke parë drejtimin e sferës.

Ndërkohë sfidën e ka mbyllur Isak me një super gol dhe aftësi individuale, duke shënuar nga distanca e largët. Një realizim që mund të shihet më tepër në “Play-Station”, por që vjen e shfaqur në fushë nga sulmuesi Isak. Për të përmbyllur historinë e takimit ishte Quaison që shënoi golin e tretë për Suedinë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *