VIDEO/ Një film i bukur luhet në qytetin e trishtë! Atalanta tremb Juventusin, penalltitë prishin gjithçka

0

Nga Klaudio Ndreca

Një film i bukur që po luhet në qytetin e trishtë të Italisë, në Bergamo. Në vendin që ndryshe quhet edhe si “qyteti pa gjyshër” pasi vuajti më tepër pasojat e Koronavirusit. Tifozët ndalohen në stadium, por nga shtëpia janë duke parë skenën që më parë as nuk e kanë ëndërruar, me ekipin e tyre që po luan kundër të gjithëve në nivelet më të larta.

Pas 9 fitoreve radhazi vjen edhe ndalja kundër Juventusit. Në fakt, ky do të ishte edhe përshkrimi më i mirë. “Juventusi ndal Atalantën”, jo e kundërta. Miqtë ishin shumë pranë fitores, por dy penalltitë do t’ia mohonin tre pikëshin. Fillimisht ishte Zapata që gjeti golin në minutën e 16 për të sjellë festën. Me nisjen e pjesës së dytë një prekje me dorë i kushtoi shumë Atalantës dhe Kristiano Ronaldo nuk mund të falte.

Malinovski realizoi një gol fantastik në minutën e 81, por kur takimi po shkonte drejt mbylljes, një tjetër top i prekur me dorë nga Muriel i dërgon shifrat në 2-2. Të gjithë lojtarët e Atalantës ishin të dëshpëruar nga barazimi me Juventusin, pasi nëse do të fitonin do të shkonin vetëm 6 pikë larg titullit kampion. Kjo për të kuptuar sesa larg ka shkuar ekipi i Gasperini që bënë lojën më të bukur në Itali, ndërsa po vazhdon edhe ëndrrën në “Champions League” atje ku do të përballet ndaj PSG-së. Nga ana tjetër prova e Atalantës ka trembur Juventusin, jo vetëm gjatë kryesimit ku titulli kampion mbetej ende i hapur, por edhe për vazhdimësinë e bardhezinjëve në “Champions”, ku ekipi nuk premton shumë. /Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.