Ledian Memushaj është kthyer në yllin polar të Peskarës dhe duket se prej tij kalon thuajse gjithë manovra ofensive. Mesfushori ka qenë themelor këtë sezon, duke dhënë 10 asiste, si askush tjetër në Serinë B, por sot ka bërë edhe atë që i mungonte, duke shënuar golin e parë në kampionat, në fitoren e çmendur 3-2 ndaj Palermos.
Vlonjati 32-vjeçar shënoi një gol të mrekullueshëm në minutën e 68-të të sfidës shtëpiake kundër Palermos, rival direkt për ngjitjen në Serinë A.
Gol me shumë rëndësi, përveçse shumë i bukur, sepse Palermo kryesonte 2-1 deri në atë moment, ndërsa Memushaj nisi kthesën e pabesueshme të minutave të fundit.
Peskara është në këtë moment në zonën play-off për ngjitje në Serinë A, ndërsa kryeson Breshia e Ndojit, ndjekur nga Leçe.