Emocional në fushë dhe një personazh në tribunat e stadiumeve. Diego Armando Maradona mbetet i tillë edhe në detyrën e trajnerit. Legjenda argjentinase dhuroi spektakël edhe në Meksikë, aty ku drejtoi ndeshjen e katërt në krye të stolit të Dorados të Sinaloa-s.
Skuadra e Maradonës fitoi 2-0 përballë Luanëve të Zinj, me golat që u realizuan në kohën shtesë të takimit. Baez i dha avantazhin Dorados në minutën e 91-të, ndërsa Angulo në të 95-ën vulosi suksesin e skuadrës. “Nuk erdha këtu për pushime, kam rilindur dhe do të jap zemrën për ekipin”, tha ish-sulmuesi në momentin kur u prezantua.
Maradona vendos zemrën, ndërsa është e pamundur që të qëndronte i ftohtë dhe indiferent përballë një fitoreje të tillë, kaq të vuajtur. Aq më tepër që skuadra e 57-vjeçarit vinte nga dy humbje radhazi dhe suksesi nevojitej për të evituar mini-krizën e rezultateve.
Në ndeshjen e fundit të kampionatit të Aperturas, Dorados mori maksimumin e pikëve, ndërsa në dhomat e zhveshjes Maradona festoi si i çmendur. Pas fitores së arritur, trajneri kërceu së bashku me lojtarët, ndërsa video ka bërë menjëherë xhiron e botës.
Diego Maradona, ladies and gents. pic.twitter.com/6G2msPCUeH
— Roy Nemer (@RoyNemer) September 30, 2018