Mentor Mazrekaj po përjeton një “rini të dytë”, asnjë dyshim. Pas shkëlqimit te Partizani, karriera e këtij lojtari nisi që të zbehej. Për një moment situata shkoi deri në atë pikë sa lojtari bëri edhe një postim ku njoftoi tërheqjen nga futbolli. Asnjë skuadër në Kosovë nuk po i besonte, madje as ato të Kategorisë së Parë.
Por Duro e di mënyrën sesi rizgjohet ky sulmues. Te Laçi do të firmoste dhe menjëherë filloi të shfaqte pak nga magjia e tij për të treguar se ende nuk e ka mbyllur. Në ditën e djeshme, kurbinasit vazhduan më tej në turin e dytë të Conference League falë golit mjeshtëror të Mazrekajt nga goditja e dënimit.
Por më shumë se kaq, 33-vjeçari ishte rrezikshmëri konstante për kundërshtarët dhe bëri disa numra spektakli me driblimet e tij. Për shumëkënd duhej të ishte “Count Down” i Mazrekajt për të mbyllur karrierën, por tashmë është kthyer në “Count Down” e rivalëve të Laçit. /Sport Ekspres/