Edon Zhegrova është padyshim ylli dhe lojtari kryesor i Lille. Francezët dje fituan një tjetër takim shumë të rëndësishëm, teksa mundën Atletico Madridin në shifrat 1-3. Futbollisti shqiptar do të shënonte golin e parë të takimit për Lille dhe të barazimit të përkohshëm, me një goditje brilante nga distanca që u ndal në rrjetë.
Menjëherë pas përfundimit të takimit, Zhegrova ka takuar një djalë të vogël në stadium që mbante flamurin e Shqipërisë dhe qeleshen. Kështu Edoni nuk ngurroi që t’i jepte djaloshit fanellën e tij, ndërsa nga ana tjetër djali i dha Edonit qeleshen dhe flamurin.
Pasi shkoi në dhomat e zhveshjes, lojtari pozoi menjëherë me qeleshen. Ndërkohë faqja zyrtare e Lille ka publikuar një video akoma më të bukur. Atje shihet Zhegrova me flamurin shqiptar në dhomat e zhveshjes, ndërsa shokët e ekipit i marrin qeleshen dhe nisin që të bëjnë shqiponjën. /Sport Ekspres/