Kukësi fitoi sot ndaj Kamzës me dy autogola. Skuadra e Cungut duket se ka probleme me gjetjen e golit, pasi shumë pak lojtarë kanë arritur që të gëzojnë pasi kanë shënuar. Me përjashtim të Rexhinaldo, Shametit, Kordeiros dhe Shpehar, asnjë lojtar tjetër nuk i ka marrëdhëniet e mira me golin.
Sulmi duket se është reparti më problematik dhe llogaritë në merkato ishin bërë gabim, çka dëshmohet edhe nga fakti se Harba u largua në mes të sezonit, duke mos pritur as janarin. Nëse Kukësi ka probleme për të gjetur golin, një ish-sulmues ka bërë mirë në Kroaci sot.
Mund ta mbani mend Mateos Limën, i cili në sezonet 2015-2016 shënoi 7 gola. Shtatlarti brazilian tani luan me Slaven Belupon dhe sot ka shënuar një gol mjaft të vështirë. Pak pasi ishte mbushur gjysmë ore lojë, 25-vjeçari i shpëtoi mbulimit të Ardian Ismajlit dhe kaloi skuadrën e tij në avantazh. Në fund Hajduku dhe skuadra e ish-sulmuesit të Kukësit u ndanë në barazim 2-2.
Lima kaloi te Santosi pasi iku te Kukësi, por nuk mundu që të luante, më pasi provoi veten në Serbi te skuadra e Borak Çaçak, ku shënoi 8 gola në 30 ndeshjet që luajti, ndërsa tani po kontribuon në Kroaci. Ky ishte goli i parë për këtë edicion për brazilianin.