Kosova është ndarë në një barazim 1-1 me Ishujt Faroe në shtëpinë e këtyre të fundit, në ndeshjen e katërt të Ligës së Kombeve. Skuadra e Bernard Shaland ka arrë një pikë, që e çon në kuotën e 8 pikëve. Mbeten në vendin e parë “dardanët”, kjo dhe për faktin se edhe ndeshja tjetër e grupit 3 të Ligës D mes Azerbajxhanit dhe Maltës është ndarë në një barazim 1-1.
Kosova e nisi mirë ndeshjen, teksa gjeti golin pa u mbushur 10 minuta lojë, falë Milot Rashicës, i cili me një goditje nga distanca mposhti portierin vendas. Akoma dhe më i bukur ishte festim ii lojtarit të Verder Bremen, që me duar bëri që shqiponja të fluturonte dhe në ishujt Faroe. Gjithsesi, eksperienca ka të bëjë shumë dhe Kosovës kjo i mungon, pasi skuadra u tërhoq disi, duke i krijuar hapësira kundërshtarit që e rrezikoi disa herë portën e Ujkanit. Rashica dhe Zhegrova ishin rrezik standard kur kapnin topin, megjithatë pa krijuar ndonjë rast në 45 minutat e para.
Në fillimin e pjesës së dytë, ashtu si dhe pak ditë më parë, Kosova pësoi sërish. Pas një gabimi në mesfushë, vendasit shënuan pas një harkimi nga e djathta. Kosova u zgjua disi dhe për disa minuta ishte agresive, por Ishujt Faroe në krahun tjetër u përgjigjën në të njëjtën mënyrë, duke krijuar disa herë rrezik në portën e Ujkanit.
Në fund vetëm 1 pikë, por sërish në vendin e parë. Muajin e ardhshëm Kosova ka dy ndeshje mjaft delikate dhe të rëndësishme, pasi do të luajë në transfertë me Maltën dhe do të presë në shtëpi Azerbajxhani, ku me shumë mundësi do të vendoset dhe skuadra e cila do të fitojë grupin 3 në Ligën D.
Liga e Kombeve, e diel, 18:00
Stadiumi “Tórsvøllur”, Liga D
Ishujt F 1-1 Kosovë
Shënues: Joensen 51′ / Rashica 9′
DIREKT
87’ – Tjetër mundësi për vendasit, ku përsëri Ujkani shpëton Kosovës, pas një goditje që u bë akoma më e rrezikshme pas devijimit.
86’ – Dalje e rrezikshme për Ishujt Faroe. Krosim i Hanson nga krahu i majtë vë në vështirësi mbrojtjen e Kosovës, teksa Ujkani shpëton rrezikun me një grushtim.
75’ – Një rast i rrezikshëm për Kosovën. Pas një rrëmuje në zonë, topi largohet nga zona, ku aty ndodhet Herolind Shala, i cili godet fluturimthi me të majtën, por portieri vendas tregohet i vëmendshëm.
51′ – GOL ISHUJT FAROE! Shënojnë Ishujt Faroe. Pas një dalje nga e djathta me Sorensen, është Joensen, i cili shënon me një goditje, ku dhe Ujkani nuk kishte mundësi reagimi.
37’ – Rast mjaft i mirë për Ishujt Faroe. Një krosim nga e djathta gjen në zonë mesfushorin Joensen, i cili godet me kokë, por Ujkani shpëton portën e Kosovës.
30′ – Ndeshje e ekuilibruar, me vendasit që kanë nisur të ngacmojnë më shumë në portën e Ujkanit, por mbrojtja e Kosovës është e vendosur mirë. Të besuarit e Shaland po i besojnë më shumë krahëve të mesfushës, me Zhegrovën dhe Rashicën që janë të shpejtë dhe tentojnë të ndërtojnë situata të rrezikshme në gjysmëfushën e Ishujve Faroe.
15’ – Kombinim mjaft i bukur mes Valon Berishës dhe Edon Zhegrovës, me këtë të fundit që provoi goditjen nga brenda zonës, por për fat të keq u ndal nga një mbrojtës i ekipit vendas
9′ – GOOOOOOL! Merita e gjitha për Milot Rashicën, i cili lëshon një goditje të mrekullueshme me të djathtën dhe mposht portierin vendas. Kosova kalon në avantazh.
1’ – NIS NDESHJA!