VIDEO | Kosova me “5 yje”, shpartallon Maltën në transfertë

Kosova arrin një sukses mjaft të rëndësishëm në transfertën e Maltës, që është e para fitore e tyre jashtë në Ligën e Kombeve. Një fitore fantastike e “dardanëve”, të cilët triumfuan duke shtypur Maltën, me shifrat 0-5.

Sfida nisi mjaft mirë, teksa pas 15 minutash, ishte Vedat Muriqi, i cili shënoi pas një gabimi të vendasve në mbrojtje. Pjesa e parë vijoi me raste për Kosovën, e cila pati disa mundësi të mira me Valon Berishën, por që nuk u konkretizuan. Skuadrat shkuan në pushim me rezultatin 0-1.

Në fraksionin e dytë, të besuarit e Shaland vijuan dominimin e tyre dhe brenda 16 minutave arritën të shënonin plot katër herë. Fillimisht ishte Kololli, i cili shënoi në minutën e 70-të një gol mjaft të bukur. Më pas momenti ishte për Donis Avdiajn, teksa erdhi nga stoli, për të shënuar dy herë, në minutat 78-të dhe 80-të. Milot Rashica mendoi t’i vinte qershinë mbi tortë me golin e pestë, duke mbyllur çdo gjë.

Ndërkohë nga ana tjetër, rivali i Kosovës në grup, Azerbajxhani, nuk gaboi në shtëpi dhe triumfoi pastër ndaj Ishujve Faroe me shifrat 2-0. Madatov dhe Nazarov ishin lojtarët që shënuan për azerët, të cilët tashmë ngjiten në kuotën e 9 pikëve.

Tashmë, ndeshja që do të luhet ditën e martë midis Kosovës dhe Azerbajxhanit kthehet në “jetike”, pasi çdo gjë do të vendoset në atë sfidë. “Dardanëve” i mjafton të mos humbasin për të ruajtur vendin e parë dhe për të siguruar ngjitjen në Ligën C, që do të ishte diçka historike për Kosovën.

Liga e Kombeve, e shtunë, 18:00

Stadiumi “National Stadium, Ta’ Qali”, Liga D

Maltë 0-4 Kosovë
Shënues:
Muriqi 15′, Kololli 70′, Avdiaj 78′, 80′

Malta: Hog, Karuana, Zerafa, Mbong, Gambin, Shembri, Muskat, Korbolan, Kamileri, Brifa, Z. Muscat

Kosova: Ujkani, Vojvoda, Aliti, Kollolli, Shala, Kryeziu, Rashica, Zeneli, Rrahmani, Berisha, Muriqi. Trajner: Bernard Shaland.

DIREKT
85 – Rashica çon shifrat në 5 – 0. Djaloshi nga Vushtrria gjuan nga distanca dhe mposht portierin maltez.

80’ – GOL! Kosova e pandalshme. Përsëri një dalje nga e djathta, ku këtë herë është Milot Rashica, i cili pason për Avdiajn, që përsëri tregohet i pagabueshëm.

78’ – GOL! Aksion perfekt i Kosovës. Vedat Muriqi me një dalje nga e djathta tregohet altruist në maksimum, teksa pason për Donis Avdiajn, i cili nuk gabon.

70’ -GOL! Kombinim midis Rashicës dhe Kolollit, ku ky i fundit këmbëngul deri në fund për të marrë topin dhe i vetëm përballë portierit, dyfishon rezultatin me një parabël.

40’ – Përsëri është binomi Vojvoda-Berisha, teksa këtë herë Valoni godet në portë, por portieri maltez reagon në mënyrë fantastike.

35’ – Mundësi fantastike për Kosovën. Dalje nga e djathta, ku Vojvoda hedh një top në qendër, duke gjetur Valon Berishën, i cili shumë afër portës gabon duke goditur mbi traversë.

15′ – GOL!Një gabim në mbrojtjen e Maltës, gjen Muriqin të vëmendshëm, i cili i vetëm përballë portierit, nuk gabon.

6’ – Është Herolind Shala, i cili provon me një goditje me të majtën, por topi prek vetëm rrjetën e jashtme.

2’ – Një kros i Rashicës gjen Muriqin, i cili godet me kokë, por top përfundon pak centimetra mbi traversë.

1′ – Vetëm 40-sekonda mjafton që të vijë rasti i parë i Kosovës. Goditja e Kolollit neutralizohet në momentin e fundit nga mbrojtësi i Maltës.

1′ – NIS NDESHJA!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *