VIDEO/ Interi nuk dorëzohet deri në minutën e fundit, zikaltrit përmbysin Udinezen në limitet e kohës

Interi mbetet i pamposhtur në kampionat për të 26-n ndeshje radhazi. Zikaltrit kanë përmbysur sot me shifrat 1-2 Udinezen në limitet e kohës. Bardhezinjtë befasuan ekipin e Inzagit në pjesën e parë të takimit. Samardziçi e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 40 të ndeshjes, duke e dërguar skuadrën në epërsi në pushimin mes pjesëve.

Interi u kundërpërgjigj me Çalhanolunë në minutën e 55, kur shndërroi në gol një penallti të fituar nga Turami. Minutat po kalonin dhe rezultati 1-1 mbetej në fuqi, por zikatrit nuk u dorëzuan deri në fund. Kur kronometri po maste minutën e 95, Fratezi shënoi golin e fitores, i cili çoi peshë të gjithë tifozët interistë që kishin udhëtuar për të mbështetur skuadrën në këtë transfertë. Interi mori kështu një fitore mjaft të vyer, të cilat e shkëpusin 14 pikë nga Milani në krye të tabelës. Titulli kampion duket thjesht një çështje kohe./Halit Delibashi-Sport Ekspres/