Interi ka marrë një humbje të papritur kundër Empolit. Zikaltrit hynin si favoritë në “Xhuzepe Meaxa“, por fusha foli ndryshe. Interi hyri me risi në lojë, teksa në nder të vitit të ri kinez, vitit të lepurit, vendosi të shkruajnë emrat e lojtarëve në fanellë me gërma kineze. Por zikaltrit në versionin kinez rezultojnë një tragjedi në shtëpi.
Goditja e parë vjen nga Skriniar, i cili largohet nga fusha me karton të kuq në fund të pjesë së parë. Mangësia numerike jep efektet e saj, duke i dhënë më tepër hapësira Empolit. Bajrami shfrytëzoi bukur një kundërsulm në minutën e 65, kur edhe dha asistin për golin e Baldanzi-t. Një gol që do të ishte i vetmi në këtë mbrëmje. Në fushë pati minuta edhe për Kristjan Asllanin. Mesfushori shqiptar bën një paraqitje të mirë kundër klubit ku u rrit si futbollist, por pa mundur të jetë protagonist me asist apo me gol. Në fund Empoli rrëmben tre pikët dhe i hap telashe Interit në garën për titull./Halit Delibashi-Sport Ekspres/