VIDEO/ I lanë gjunjët apo ndeshje e trukuar? Skena të pabesueshme nga Conference League, lojtarët ecin në fushë dhe kalojnë nga goli te autogoli

Skena në kufijtë e së pabesueshmes kanë ardhur në mbrëmjen e djeshme në Conference League. Linfield ishte vetëm pak sekonda larg nga historia, teksa do të kthehej në ekipin e parë të Irlandës së Veriut që mund të shkonte në një kompeticion europian.

Ndeshja e tyre e parë me RFS nga Letonia përfundoi në shifrat 2-2. Ndërkohë ajo e mbrëmjes së djeshme, mbaroi me rezultatin 0-0 për 90 minutat. Në minutën e 104, Linfield gjeti golin e parë me Kyle McClean duke afruar kualifikimin.

Momenti më i pabesueshëm i përket minutës së 120. Linfield ishte shumë pranë golit të dytë teksa 4 lojtarë të saj ishin kundër vetëm 1 lojtari të RFS. Futbollistët dukej sikur ecnin dhe e gabuan rastin e pastër. Nga krahu tjetër nisi menjëherë kundërsulmi, por futbollistët e Linfield nuk bën asnjë sakrificë për historinë e tyre, në të vetmen minutë të mbetur.

Sërish mbajtën ritmin e ecjes dhe në atë aksion të fundit të RFS, do të vinte autogoli për t’i dërguar shifrat në 1-1. Kështu do të mbyllej takimi dhe nga ruleta ruse, RFS kaloi më tej. Në rrjetet sociale ka jo pak dyshime për një ndeshje të trukuar, po aq sa edhe lënia e gjunjëve për shkakun e minutave të shumta. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *