Goli i vetëm që i dha tre pikët Partizanit në finalen kundër Teutës, duke e afruar me një dorë te titulli kampion, do të vinte nga Eraldo Cinari. Ky realizim ka marrë më shumë jehonë si gafa e portierit të Teutës sesa si i ardhur nga sulmuesi i Partizanit. Sigurisht që dalja e Frashërit ishte tërësisht jashtë kuptimit për mënyrën sesi kërkoi të evitonte atë rast të rrezikshëm të kundërshtarit.
“E kam unë”, ishte ulërima e lëshuar nga ana e Frashërit duke kërkuar që të qetësojë shokët e ekipit. Megjithatë ky urdhër nuk mund të zbatohej nga ana e Eraldo Cinarit që megjithëse ishte i kthyer tërësisht me kurriz nga porta, arriti t’i jepte devijimin e duhur topit që të shkonte në fundin e rrjetës.
“Tani po, mund ta marrësh”! Frashëri do të bënte shumë pritje të tjera vendimtare për të mbajtur në lojë Teutën, por inati nuk mund t’i dilte me veten për mënyrën sesi e pësoi në një finale sezoni. Por në fund të fundit ky është futbolli! Nëse askush nuk do të gabonte, atëherë nuk do të kishim gola.
Ndërkohë te Partizani, Eraldo Cinari është kthyer si një “aparat oksigjeni”. Për aftësitë e këtij lojtari dhe teknikën e tij mund të diskutohet gjatë pasi gjithëkush ka mendimet e tij rreth futbollit. Por sa i përket rëndësisë që paraqet për Partizanin, askush nuk ka dyshime se Cinari është “qetësuesi” i momenteve më të vështira të kryeqytetasve, i ndeshjeve me dramatike dhe që kanë më tepër peshë.
Zakonisht në të tilla përballje ata që e bëjnë diferencët janë lojtarët e mëdhenj dhe kjo tregon se aftësitë e Çinarit janë të këtij kalibri. Një tjetër detaj që nuk ka marrë shumë jehonë është ajo e minutës së 64. Futbollisti i Partizanit ka dhënë një pasim të mrekullueshëm me gju për Bardhin duke e llogaritur instinktivisht për të njohur zonën e kundërshtarit, me topin që është ngritur mjaftueshëm mbi kokën e Arapit, pavarësisht se Çinari nuk e ka aspak pamjen vizive të vendosjes së kundërshtarëve. /Sport Ekspres/