Aludime, ndeshje të toleruara, estrada, arbitra të kryqëzuar, polemika, por sidomos edhe shumë shumë zhurmë… Dhe, nëse kjo është antipasta, qershia mbi tortë vjen në fund, ashtu si në ndeshjen Shkumbini-Veleçiku 0-1. Një penallti për miqtë dënon peqinaset me rënien në Kategorinë e Dytë, në “Selman Stermasi”, teksa arbitri Klajdi Kolaj vërshëllen fundin e ndeshjes, por nuk e imagjinon atë që do të ndodhë më pas. Futbollisti i Shkumbinit, Albano Isaj, afrohet nga pas dhe e godet dy herë, një herë me shuplakë, më pas me grusht, duke u larguar sikur nuk kishte ndodhur asgjë, teksa në fushë ka hyrë siguria, që mbulon arbitrin.
Pikërisht Klajdi Kolaj nxjerr kartonin e kuq nga xhepi dhe ia drejton futbollistit, që largohet sikur të kishte gjithë të drejtën e kësaj bote ta godiste… Jo vetëm kaq, por arbitri deri në tunel është i rrethuar nga rojet e sigurisë. Dhe, kujtojmë që luhej në “Selman Stermasi”, në mes të Tiranës. Praktikisht, dhuna që në rrethe është “e legjitimuar”, tashmë transferohet edhe në epiqendrën e futbollit…
https://www.facebook.com/356896164486027/videos/1006629262846044/