VIDEO/ Goli i anuluar i Armando Brojës, trajneri i Viteshes dhe Bazoer i habitur: Do flisja ndryshe tani…

Armando Broja gjeti një tjetër gol me fanellën e Viteshes pasi tundi rrjetën e Ekselisor në ndeshjen e vlefshme për Kupë. Sulmuesi shqiptar kaloi në avantazh ekipin mik në pjesën e dytë për t’i dërguar shifrat në 0-1. Por teksa shpërtheu festa, VAR-i ndërhyn papritur. Nuk bëhej fjalë për një pozicion jashtë loje ose ndonjë faull të shkaktuar gjatë aksionit, por për një detaj disi më të rrallë.

Në momentin kur Bazoer kishte nisur topin pas një faulli të shkaktuar nga lojtarët e Ekselisor, sfera ishte ende duke u rrotulluar. Kaq ka mjaftuar që goli të anulohej, ndërsa lojtari i Viteshes, Bazoer, nuk e kupton ende arsyen e vendimit të arbitrit Higler.

“A e dini ju sesa herë ndodh kjo që topi gjuhet kur është ende duke u rrotulluar? Arbitri e mori vendimin fatkeqësisht. Nëse merr një vendim të tillë, atëherë duhet t’i biesh bilbilit kudo”. Nga ana tjetër edhe trajneri Thomas Letsch kishte rezervat e tij: “Sigurisht që është rregulli se nëse topi rrotullohet, goli nuk quhet. Por në atë fushë ku po luanim ne topi kishte mundësi që të mos pushonte fare së rrotulluari. Nuk ka rëndësi tani, se kemi fituar. Por nëse do të ishte një tjetër përfundim, do flisja ndryshe tani”, u shpreh Letsch. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *