VIDEO | Gol në limite, ish-sulmuesi i Kukësit njeriu i momentit në Finlandë

Sezoni 2016-2017 do mbahet mend gjatë nga shumë tifozë të Kukësit për ecurinë fantastike që kulminoi me fitimin e titullit të parë kampion në historinë e skuadrës verilindore. Pjesë e asaj skuadre ishte dhe sulmuesi shtatlartë Lukas Rangel.

Shumë vetë nuk e mbajnë mend dhe me të drejtë. Rangel u aktivizua 18 herë në Superiore gjatë atij sezoni dhe në të gjithë rastet trajneri Ernest Gjoka e futi si zëvendësues. Por, ai e dha një kontribut sado të vogël për Kukësin, duke shënuar golin e barazimit në përmbysjen e kuksianeve në “Niko Dovana” ndaj Teutës.

Në verë Rangel bëri valixhet gati. Karriera e tij vijoi në divizionin e dytë në Austri, ku kreu një sezon të kënaqshëm me Kapfenberg me 9 gola dhe 30 aktivizime, pjesa dërrmuese si titullar. Paraqitjet e mira i mundësuan një transferim në Finlandë te skuadra e “KuPS”.

Në Finlandë shënoi katër gola në 14 ndeshje, ku goli më i fundit ishte dhe më speciali. “KuPS” luante në transfertë ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Mariehamn ekip që rrezikonte rënien nga kategoria dhe dha gjithçka në fushë.  Ndërkohë “KuPS” i duhej me doemos fitorja për të siguruar vendin e tretë ndaj rivalëve të Honkas që kishin një ndeshje shumë më lehtë.

Vendasit kalojnë në avantazh në minutën e 9-të, por “KuPS” barazon pas 11 minutash. Barazimi ishte rezultat i vlefshëm për Marienham dhe skuadra u tërhoq e gjitha mbrapa. Minutat kalojnë dhe gjithë mundi i sezonit rrezikonte të shkonte dëm, por në skenë del Rangel, i cili shfrytëzon më së miri një krosë dhe dërgon topin në rrjetë dy minuta para fundit të takimit. “KuPS” siguroi biletën për në Europë duke u renditur në vend të tretë me pikë të barabarta me Honkan, por me një golevarazh me vetëm një gol diferencë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *