Milani është në rrugën e duhur për fitimin e titullit kampion për herë të 19-të në historinë e tij. Pas fitores së sotme ndaj Fiorentinës me rezultatin 1-0, tashmë kuqezinjtë kanë vetëm tre “finale” nga përfundimi i Serisë A.
Pavarësisht humbjes turpëruese ndaj Udinezes me rezultatin 0-4, Fiorentina rezultoi një “kockë e fortë” për Milanin, të cilët vuajtën shumë në këtë sfidë. Sfida nisi me një gol të anulluar të Theo Hernandez në minutën e 7-të, për shkak të një pozicioni jashtë loje. Në minutën e 16-të Giroud humbi një rast flagrant për gol, për të cilën nuk i besonte dot syve.
Në pjesën e dytë Rebiç po ashtu shpërdoroi një mundësi të artë, duke e bërë çdo gjë mjaft te vështirë. Do të ishte Leao, i cili në minutën e 82-të, shfrytëzoi një pasim te gabuar te portierit të Fiorentinës, për të shënuar një gol mjaft të bukur. Tashmë kuqezinjtë presin të qetë ndeshjen e Interit përballë Udinezes në orën 6. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/