Përfundon me rezultate të papritura java e 31-të e “Abissnet Superiore”-s. Egnatia ka shpartalluar Vllazninë me shifrat e thella 0-4 në “Loro Boriçi”. Goli i parë u shënua në minutën e 23-të nga Mëllugja, i cili bëri një goditje fantastike nga jashtë zone. Goli i dytë i takimit mban autorësinë e Duamenës, që shfrytëzoi në maksimum një kundërsulm të rrogozhinasve. Kur të gjithë prisnin kundërpërgjigjen e Vllaznisë, Egnatia tundi përsëri rrjetën në minutën e 77 me anë të Fernandosit, që e me të majtën e tij e dërgon topin në trekëndësh. Për të vulosur shifrat përfundimtare të kësaj sfide ka menduar Xheksoni, i cili e shtyn topin në rrjetë për t’i dhënë Egnatias fitoren 0-4. Rrogozhinasit hedhin një tjetër hap të rëndësishëm drejt objektivit për të mbërritur në kupat e Europës, ndërsa Vllaznia i sheh kompeticionet e UEFA-s gjithnjë e më larg.
Në krahun tjetër Tirana ka mundur të fitojë në limitet e kohës së rregullt përballë Kastriotit. Krutanët mbajtën rrjetën të paprekur deri në minutën e 89, kur Hila e shtyn topin me kokë përtej vilës fatale. Bardheblutë nisin menjëherë festën e çmendur në “Elbasan Arena”, teksa me këtë rezultat vijojnë të mbajnë diferencën prej 5 pikësh me Partizanin e vendit të dytë. Ndeshja ka pasur edhe tensione, pasi Karaçani dhe Lushkja janë konfrontuar fizikisht pas shënimit të golit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/