Egnatia është mposhtur me rezultatin 4-2 kundër Interit në një miqësore luksi për ta. Rrogozhinasit janë për t’u përgëzuar për paraqitjen dinjitoze të dhuruar mbrëmjen e sotme, teksa arrin të jetë në epërsi ndaj nënkampionëve të Europës deri në minutën e 80 të ndeshjes. Fituesit në fuqi të Kupës së Shqipërisë befasuan ekipin e Inzagit që në minutën e 6 të takimit, kur pas një aksioni model Duamena tund rrjetën.
Pjesa e dytë nis me një ritëm të shtuar nga Interi, që kthen baraspeshën në minutën e 55 me anë të Barelës. Por festa nuk zgjat shumë, teksa në minutën e 68, Fernando e dërgon topin në rrjetë me një panenka nga 11 metrat. Interi zgjohet në minutat e fundit, kur për 10 minuta përmbysin ndeshjen. Lautaro Martinez realizon dy herë në pak minuta (80‘, 83‘), ndërsa në të 90 Stabile i fikson shifrat në 4-2. Por pavarësisht rezultatit, Egnatia largohet me kokën lart nga Italia, pasi u përball në mënyrë dinjitoze më një nga klubet më të mëdha të Serisë A, megjithëse diferencat mes dy skuadrave janë jashtëzakonisht të mëdha./Halit Delibashi-Sport Ekspres/