Brazili është ndalur në barazim pa gola ndaj Venezuelës, në një ndeshje krejtësisht të çmendur. Rezultati i sfidës në fund ishte me të vërtetë 0-0, por Kombëtarja braziliane e gjeti plot tre herë golin dhe në të treja rastet ndërhyri sistemi VAR.
Fillimisht ishte Roberto Firmino, i cili shënoi në fundin e pjesës së parë, por gjithçka u anulua si pasojë e një faulli ndaj kundërshtarit. Në fraksionin e dytë ishte Gabriel Zhesus që shënoi, por përsëri festa zgjati shumë pak, teksa arbitri e anuloi golin për pozicion të parregullt.
Gjithsesi, në minutën e 87-të u duk se makthi mori fund dhe Brazili gjeti avantazhin. Një inkursion perfekt i Everton, i cili krosoi në zonë, gjeti të lirë Kutinjon, me këtë të fundit që shënoi, duke nisur festën. Pas disa minutave kaos, gjithçka u anulua përsëri me arbitrin që akordoi faull për prekje me dorë nga Firmino.
Kështu, Brazili ndalet në barazim pa gola nga Venezuela, që mbetet në kuotën e dy pikëve, teksa numëron dy barazime. Nga ana tjetër pesë herë kampionët e Botës numërojnë katër pikë dhe janë në krye të grupit A.
Ndërkohë, në sfidën tjetër të këtij grupi, Peruja mposhti pastër me shifrat 1-3 Bolivinë me përmbysje. Avantazhit të Bolivisë nga pika e bardhë iu kundërpërgjigj Guerrero, Farfan dhe Flores, duke i dhënë tri pikë të arta peruanëve.