Kupa e Mbretit ka sjellë çudira mbrëmjen e sotme. Atletiko Baleares ka tërhequr vëmendjen, teksa nga një ekip i panjohur në arenën spanjolle prek kualifikimin kundër Getafes. Klubi nga liga e tretë e futbollit spanjoll ka turpëruar me goleadë madrilenët, teksa kanë fituar me rezultatin e thellë 5-0.
Festivali i golave nisi që në minutën e 6 me anë të Orfilas, i cili një minutë përpara fundit të pjesës së parë dyfishon rezultatin. Ndërkoha Atletiko Baleares nuk është kursyer aspak në fraksionin e dytë të lojës, kur do të shënonte edhe 3 gola të tjerë, duke shfrytëzuar edhe epërsinë numerike pas daljes me karton të kuq të Cabaco-s në minutën e 32-të. Dioni në minutën e 68, Martinez në të 70-n dhe Tanque në minutën e 89 kanë gjetur rrugën e rrjetës.
Getafe kishte një mbrëmje të gjithën për tu harruar, teksa si rrallë herë në historinë e saj merr një humbje të tillë nga një ekip që luan dy kategori poshtë saj. Gjithashtu klubi nga La Liga nuk ka arritur të godasë asnjëherë portën kundërshtare përgjatë lojës, pasi dy gjuajtjet e tyre kanë përfunduar jashtë kuadradit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/