Nga Klaudio Ndreca
Enis Cokaj është padyshim mesfushori i së ardhmes te Kombëtarja dhe për këtë nuk duhet të ketë askush dyshime. Lojtari i Lokomotivës së Zagrebit dhe që mori më tepër hapësira te Laçi për t’u formuar, po prek nivelet më të larta.
Një tjetër asist brilant ka dhuruar në fitoren që po merr Lokomotiva e Zagrebit ndaj Rijekës. Pjesa e parë është mbyllur në shifrat 0-1, ndërsa flitet për dy ekipe që kërkojnë vendin e dytë në kampionatin e Kroacisë pas Dinamos së Zagrebit.
Në minutën e 36 të takimit, Enis Cokaj do të merrte një top nga fusha e tij dhe kur Lokomotiva po gjendej në vështirësi, ndërsa me kalibrimin e lartë e ka dërguar saktësisht në këmbët e Kastratit. Si në “Play-Station” atje ku me një buton të vetëm nxjerrë huq të gjithë vendosjen e kundërshtarëve. Kaq mjaftonte pasi me shpejtësinë e madhe që Kastrati zotëron, e përdori si një “armë shtesë” në atë aksion për ta dërguar topin poshtë këmbëve të portierit kundërshtar. /Sport Ekspres/