Neymar iu bashkua përgatitjeve të PSG javën e kaluar pasi pati dhjetë ditë pushim pas eliminimit tronditës të Brazilit nga Botërori në Katar. Brazili u eliminua në çerekfinale kundër Kroacisë dhe Neymar u largua nga fusha në lot, madje la të kuptohet se mund të ishte ndeshja e tij e fundit.
Shumë njerëz shprehen se Neymar është ende duke menduar për Kupën e Botës, e cila u pa më së miri në mbrëmjen e djeshme. Ai mori karton të kuq në minutën e 63-të dhe u detyrua të largohej nga fusha në ndeshjen ndaj Strasbourg, e fituar me shifrat 2-1. Fillimisht, në minutën e 61-të, Neymar mori karton të verdhë për një faull dhe vetëm dy minuta më vonë, arbitri Turpin i dha një karton të dytë të verdhë dhe të kuqin, duke i treguar rrugën në dhomat e zhveshjes.
Këtë herë Neymar u rrëzua në zonën e rreptësisë së Strasburgut dhe stimuloi për penallti, por arbitri e pa se nuk kishte asnjë kontakt dhe e ndëshkoi në bazë të rregullave. Gjithashtu, mediat franceze njoftuan se Neymar i pakënaqur dhe i zhgënjyer shkoi menjëherë në dhomat e zhveshjes, ndërsa pas kësaj iku nga stadiumi dhe shkoi në shtëpi, pa pritur të mbarojë ndeshja dhe për të pritur shokët e ekipit. /Sport Ekspres/