VIDEO/ Barazim një shijon si një humbje, Andorra shtang Kosovën në “Fadil Vokrri”

Ndodh ajo që tifozët shqiptarë më pak prisnin. Andorra shtang Kosovën në “Fadil Vokrri”, duke rrëmbyer një pikë. Skuadrat janë ndarë me një barazim 1-1. Një barazim që për Andorrën festohet si të ishte një fitore, por për dardanët shijon si një humbje. Kosova dominoi ndeshjen nga minuta e parë në vërshëllimën e trefishtë të gjyqtarit, teksa statistikat flasin të gjitha në favor të tyre.

Por megjithëse me statistikat nga pas dhe me kualitete dukshëm superiore në fushë, sërish përfaqësuesja e Kosovës nuk arrin të marrë tre pikët kundër një ekipi si Andorra, e cila është edhe Kombëtarja me të cilën kurrsesi nuk mund të hidhen hapa fals.

Ndeshja u zhbllokua në minutën e 59, kur Edon Zhegrova e dërgoi topin pas shpinës së portierit, por vetëm 2 minuta më vonë Rosas tundi rrjetën dhe i dha një pikë të vyer Andorrës. Një rezultat që do të rëndojë shumë mbi supet e lojtarëve dardanë, teksa shanset për një kualifikim të mundshëm zbehen ndjeshëm, duke ditur se në grup gjenden Kombëtare si Zvicra, Rumania dhe Izraeli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *