Tirana duket se e ka lënë prapa momentin e vështirë dhe ka gjetur fitoren e tretë radhazi me në krye Orges Shehin. Këtë herë bardheblutë ia kanë dalë kundër Kastriotit 1-2, që ka rezultuar si “kockë e fortë” për të gjitha ekipet në Superiore. Taulant Seferi do të gjente golin e parë të takimit në minutën e 20 për të ekzekutuar saktë 11-metërshin, ndërsa zgjodhi që të festojë me stafin teknik të skuadrës.
Hoxhallari do të dyfishonte shifrat me një goditje dënimi e cila ishte për kornizë në minutën e 58, ndërsa Kastrioti do të përgjigjej me aksionin model vetëm pak minuta më vonë, ku krosimi i ardhur nga krahu i majtë do të shfrytëzohej më së miri nga Devid. Pas kësaj fitore Tirana i afrohet me 4 pikë Partizanit përpara derbit, megjithëse duhet të presë edhe rezultatin e të kuqëve ndaj Skënderbeut në orën 16:00.
Ndërkohë nga krahu tjetër Bylisi ka surprizuar Teutën në rrugën drejt titullit kampion. Bregu do të realizonte golin e parë të takimit nga 11-metërshi, me ballshiotët që kishin shumë diskutime ndaj arbitrit për vendimin që mori pasi Arapi ra në zonë. Megjithatë festa nisi në minutën e 38 te Bylisi me Antoni Bej që dërgoi topin në rrjetë, por këtë pretendimet dhe kontestimet ishin te Teuta pasi lojtari i tyre, Aleksi, u përplas me kryesorin e takimit në mesfushë gjatë aksionit të golit. /Sport Ekspres/
Kastrioti-Tirana 1-2 Devid 66’/ Seferi 21′ p, Hoxhallari 59′
Kastrioti: Hidi, Neziri, Zhivanaj, Çela, Rami, Shkalla, Nuriu, Mehmeti, Rezi, Bardhi, De Silva
Tirana: Bekaj, Hoxhallari, Behiratçe, Toshevski, Toli, Halili, Çelhaka, Giamfi, Ismajlgeci, Vairinen, Seferi
Bylis-Teuta 1-1 Beji 40′ / Bregu 30′ p
Bylis: Qirko, Ymeralilaj, Stojanoviç, Hadroj, Janku, Mehmetllari, Beji, Ndreca, Ntefe, Nebihu, Lorran
Teuta: Frashëri, Arapi, Hoxha, Aleksi, Krasniqi, E.Vila, Todorovski, Plaku, Kuros, L.Vila, Bregu