Katari shkuran historinë, teksa për herë të parë, shpallet mbret i Azisë. Kombëtarja nga lindja e mesme ka arritur të triumfojë në finalen e madhe ndaj Japonisë, me shifrat 3-1. Suksesi në finale, vjen si shpërblim i një super turneu të zhvilluar nga Katari.
Takimi nisi mjaft mirë për ekipin e drejtuar nga Feliks Sançez, teksa në minutën e 12-të Ali Almoez, shënoi një supergol, duke mposhtur portierin japonez me një roveshatë.
Festa e Katarit nuk u mbyll me kaq, teksa në minutën e 27-të Abdulaliz Hatem shënoi një tjetër supergol, duke tronditur “samurajit”.
Pjesa e dytë nisi me përpjekje të shumta nga Japonia, por Katari vijoi të rezistonte. Në minutën e 69-të, ishte talenti i Salcburg, Takumi Minamino, i cili rihapi ndeshjen, duke shënuar golin që çoi shifrat në 2-1.
Gjithsesi, pavarësisht këmbënguljes së Japoninsë, në minutën e 83-të arbitri i takimit akordoi 11-metërsh në favor të Katarit. Nga pika e bardhë goditi Akram Afif, i cili u tregua i saktë, duke hipotekuar gjithçka.
Triumf absolut i Katarit, që në të gjithë kompeticionin ka pësuar vetëm një gol dhe ka shënuar plot 19 gola, duke fituar çdo takim, një rekord më vete ky. Kështu, projekti i Katarit premton dhe në Botërorin 2022, pse jo, mund të jetë një nga surprizat.