Sasuolo është mposhtur me rezultatin 2-1 nga Kaljari mbrëmjen e sotme. Skuadra nga Sardenja përmbysi shifrat në minutat shtesë dhe mori tre pikët falë një goli spektakolar me roveshatë nga Pavoleti. Në këtë ndeshje ishte i pranishëm edhe Nedim Bajrami, i cili u aktivizua në minutën e 73-të.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare arriti që në minutën e 90 të dërgonte topin në rrjetë, por arbitri i ndërpreu shpejt festën. Anësori ngriti flamurin për të sinjalizuar pozicion jashtë loje për shokun e tij të skuadrës. Një gol i anulluar që mund të kishte mbyllur historinë e kësaj ndeshjeje për Sasuolon./Halit Delibashi-Sport Ekspres/