“Vetëm për fitore”, Agustin Kola flet nga grumbullimi: Do luajmë si Shqipëria e Rejës

0

Kombëtarja shqiptare U-17 për femra ka nisur që prej ditës së mërkurë grumbullimin dhe stërvitjet intensive në kompleksin “Tropikal” në prag të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Europian 2021/2022. Vajzat kuqezi janë shortuar në grupin B, pjesë e Ligës B, së bashku me Malin e Zi dhe Azerbajxhanin dhe do të tentojnë kualifikimin dhe ngjitjen në Ligën A.

Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen të gjitha në Shqipëri, pasi UEFA ka vendosur t’i besojë edhe njëherë tjetër FSHF-së organizimin e këtyre sfidave me nivel europian. Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë ndaj Malit të Zi më 24 shtator në Elbasan Arena, në ora 16:00, ndërsa tre ditë më vonë, Azerbajxhani do të luajë kundër Malit të Zi, po në stadiumin “Elbasan Arena”. Më 30 shtator do të luhet edhe ndeshja e fundit mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit në Elbasan.

Nga grumbullimi i ekipit në Tropikal, Agustin Kola, trajneri i Kombëtares U-17 ka dhënë një prononcim për fshf.org, duke u shprehur se objektivi i skuadrës për këto dy ndeshje është të fitojnë, si dhe synimi kryesor i këtij ekipi është furnizimi i Kombëtares A me lojtare të reja. Në fund tekniku Kola bën një thirrje për të gjithë të rinjtë që të merren me sport.

Futbolli i femrave në Shqipëri – Me të vërtetë e kemi filluar futbollin e femrave me vonesë në Shqipëri, por shikoj që vajzat janë më të dëgjueshme, kapin atë që thotë trajneri dhe shikoj që kanë ecur shumë mirë.

Objektivi kryesor i Kombëtares U-17 – Objektivat tonë janë që të dërgojmë sa më shumë vajza në ekipin A. E pamë edhe herën e fundit që kemi luajtur, që kemi vajza të talentuara, luajtën futboll të mirë dhe këtë objektiv kemi edhe këtë herë, pasi janë vajza të reja. 2-3 kemi nga grupi i fundit. Janë vajza që kanë dëshirë të luajnë futboll.

Synimet e skuadrës në këto dy ndeshje? – Gjithmonë kam pasur si objektiv fitoren. E pamë edhe para dy vitesh, por edhe këtë radhë, si Shqipëria A e djemve që luajnë në sulm, edhe ne atë lojë duhet të japim. Për mua gjithmonë ka qenë sulmi, mbrojtja më e mirë. Më ka dhënë rezultat si lojtar, ashtu edhe trajner.

Mesazh për vajzat që duan të merren me futbollin? – Dëshira ime është që këto vajza të bëhen futbolliste, të luajnë mirë dhe të arrijnë objektivat e veta në jetë. Fëmijët që merren me sport, si femra, si meshkuj, në radhë të parë largohen nga rruga, e më pas është shëndeti. Shoh shumë që futen nëpër palestra, por i bëj thirrje të merren me sport, jo vetëm me futboll, por me të gjithë llojet e sporteve. Atë kohën e lirë që kanë, t’ia dedikojnë sportit sepse i bën shumë mirë. Në radhë të parë bëhen njerëz, pastaj do të bëhen futbollistë.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.