Më 17 korrik Teuta udhëtoi drejt Maqedonisë, për të zhvilluar fazën përgatitore në Ohër. Kur kanë kaluar vetëm 4 ditë nga puna intensive, durrsakët do të rikthehen në Shqipëri.
Nuk bëhet fjalë për ndryshim të planeve, por për të luajtur miqësoren me Skënderbeun në Korçë. Ndeshja testuese do të zhvillohet të shtunën, me trajnerin Shkëmbi që me ekipin e tij do të sfidojë kampionët në fuqi, të cilët tashmë drejtohen nga Orges Shehi.
Ndeshja vjen në një kohë ideale për “djemtë e detit” pas punës intensive në aspektin fizik të këtyre ditëve. Grupi ka punuar i plot dhe asnjë lojtar nuk ka patur probleme, ndërsa trajneri Shkëmbi do të vlerësojë gjendjen e të gjithë futbollistëve dhe përshtatjen e përforcimeve të reja të merkatos.