Marash Kumbulla është duke kaluar sërish një moment të vështirë te Roma. Pas kthimit nga dëmtimi, mbrojtësi shqiptar nuk po gjen besimin e Murinjos. Trajneri portugez nuk e ndërron lehtë zgjedhjen e tij Smalling-Ibanez-Mancini. Madje në ndeshjen kundër Ludogorest, kur Mancini ishte i skualifikuar për shkak kartoni dhe pritej aktivizimi i Kumbullës, portugezi u kthye me dy mbrojtës qendre dhe dy në krahë, për ta lënë sërish Marashin në stol.
Mbrojtësi shqiptar njeh vetëm 7 minuta në fushën e lojës, ato kundër HJK. Për më tepër që në ato minuta Kumbulla luajti në rolin e mesfushorit, një improvizim i ri i Murinjos për shkakun e mungesës së lojtarëve. “La Gazzetta Dello Sport” ka shkruar së fundmi një artikull që hapet me titullin: “Mourinho, ku shkoi Kumbulla? Përse humbi nga radari?”. Mediat italiane i referohet faktit se lojtari erdhi me bujë të madhe pas super sezonit nga Verona, por është zhdukur papritur. /Sport Ekspres/