Juventusi është duke përjetuar momentin më të vështirë në gjithë këto vitet e fundit. Pas dështimit në Champions League dhe humbjes së titullit në Serinë A, bardhezinjtë po luftojnë që të kualifikohen në kompeticionin më të rëndësishëm të Europës në sezonin e ardhshëm. Pra kampionët e Italisë kanë arritur në pikën e fundit ku askush nuk e mendonte më parë.
E fatura e madhe do të “paguhet” nga Andrea Pirlo. Të paktën në lidhjen e tij me tifozët pasi drejtuesit i kanë shprehur besimin. Djali i Andrea Pirlos, Nicolo, vetëm 17-vjeç, ka shpërndarë një mesazh në “Instagram” duke u shprehur se merr mesazhe në çdo ditë nga tifozë që urojnë ndërrimin e jetës për të.
E gjitha kjo për shkakun se është djali i trajnerit Andrea, duke u nisur nga rezultatet negative që po arrin me Juventusin. Megjithëse ende i vogël në moshë, Nicolo, ka gjithë pjekurinë për të denoncuar këtë situatë të pakuptimtë teksa liria e fjalës në mediat sociale po i kalon të gjitha limitet. /Sport Ekspres/