Në këto ditë jemi marrë shumë duke diskutuar për lojtarët e Kombëtares, me flamujt shqiptarë të vendosur kokëposhtë në Ceki, por tani erdhi momenti për të bërë edhe një reflektim me veten. Një moment autokritike, për të përmirësuar edhe ne gabimet tona, pasi jo vetëm lojtarët gabojnë, por edhe tifozët, në fund të fundit, jemi lojtari i 12.
Në ditën e djeshme FSHF doli me një njoftim ku treguar se UEFA kishte dënuar FSHF me gjobë. Sigurisht, diskutimi i sotëm nuk është shuma e vendosur apo sesa do t’i kushtojë kjo buxhetit të Federatës, nuk ka aspak rëndësi.
Ajo që bie në sy menjëherë është arsyeja e tretë e dënimit: “Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 12.500 euro për fishkëllimin e himnit gjeorgjian”. Është vërtet për të ardhur keq që ndonjëherë edhe tifozët bëjnë gabime të tilla, teksa me dëshirën për të mbështetur skuadrën, nisin të vërshellejnë himnin kundërshtar, por nuk është kjo mënyra sesi bëhet, është koha për t’u ndërgjegjësuar pasi po krijohet një imazh i keq në Air Albania. Vërshëllimi i himnit kundërshtar është kthyer në një trend në kohët e fundit në Tiranë.
Mjafton të theksojmë këtu edhe shkrimin që një prej mediave më të mëdha gjeorgjiane, Lelo, ka bërë pas ndeshjes në Tbilisi. Pasi përshëndeti Shqipërinë për fitoren dhe i kujtoi lexuesëve gjeorgjianë se Shqipëria nuk është e vogël, se Shqipëria është kualifikuar edhe para Gjeorgjisë në Europian, nga ana tjetër nënvizoi: “Të paktën kemi fituar në qytetari ndaj shqiptarëve, himnin e tyre e duartrokitëm këtu, ndërsa ata na e vërshëllyen në Gjeorgji”.
Ndërkohë para ndeshjes, kapiteni i Gjeorgjisë u shpreh se tifozët shqiptarë treguan kulturën e tyre me vërshëllimat e himnit në Tiranë. Ekipet shqiptare janë përballur shumë herë me ato gjeorgjiane në vitet e fundit në Europë dhe gjithçka ka shkuar në përsosmëri sa i përket respektit dhe Fair Play.
Pra një imazh që nuk të lë fort një shije të mirë, për një tifozeri që gjithmonë ka marrë duartrokitjet e të gjitha shteteve ku ka shkuar për mënyrën sesi ka mbështetur Kombëtaren dhe sesi është sjellë duke respektuar të gjitha rregullat. Tani është momenti që flamujt kokëposhtë të çekëve t’ia lëmë organeve kompetente që e dënojnë këtë sjellje dhe turpit të tyre, ndërsa vetë të ngrihemi në një nivel të lartë për t’i mos ushtruar presion kundërshtarit vetëm në momentin e himnit, por t’i duartrokrasim himnin dhe t’i vërshëllejmë për 90 minuta, sa herë bien në kontakt me topin. /Sport Ekspres/
Vendimi i UEFA
Federata e Futbollit është gjobitur me 41 250€ nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA për shkak të incidenteve të shkaktuara nga tifozët shqiptarë në ndeshjet Ukrainë – Shqipëri (7 shtator 2024) dhe Shqipëri – Gjeorgji (10 shtator 2024).
Vendimet e Komisionit të Etikës e Disiplinës në UEFA për ndeshjen Shqipëri–Gjeorgji:
Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 18.000 euro për bllokimin e shkallëve të stadiumit ‘Air Albania’.
Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 4.750 euro për hedhjen e sendeve në fushë
Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 12.500 euro për fishkëllimin e himnit gjeorgjian.
Vendimet e Komisionit të Etikës dhe Disiplinës në UEFA për ndeshjen Ukrainë-Shqipëri:
Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 6000 euro për pushtimin e fushës.
Të mbyllë procedurat disiplinore karshi Federatës, lidhur me dyshimet se ndeshja nisi me vonesë për shkak të FSHF-së.