Flet themeluesi i “Cantine Cordella”, Fabio Kordela: Kam ardhur të takoj miq, ndërsa më pas të krijoj kontakte, bashkëpunime, sepse në futboll nuk i dihet asnjëherë.
Si mund të krijohet një ekip yjesh në futbollin modern? Duke qenë Florentino Perez i Real Madridit, apo sheikët e PSG-së dhe të Mançester Sitit. Mënyrën tjetër e ka zbuluar Fabio Kordela, ish-drejtor i përgjithshëm i Budapest Honvedit në Hungari, i cili ka themeluar Cantine Cordella dhe merret me prodhimin e verës, por gjithashtu ka mbledhur shumë yje të futbollit, të cilët janë bërë pjesë e projektit të tij, duke krijuar edhe verën e tyre të personalizuar. Nga Xhanluixhi Bufon, tek Uesli Shnajder e Zamorano dhe tashmë edhe Ronaldinjo. Cantine Cordella po përhapet në gjithë botën dhe ditët e fundit inauguroi një restorant edhe në Bogotà, në Kolumbi, me emra si Tino Asprila e Karlos Valderama.
Po në Shqipëri, çfarë lidhje ka “Cantine Cordella”? E sjell Agjencia EFA, kompani menaxhimi lojtarësh, që tashmë ka krijuar lidhje me Fabio Kordelën, i cili ka qenë ditët e fundit në Shqipëri. Kordela ka shkuar edhe në Vlorë, ku është takuar me administratorin e Flamurtarit, për të krijuar Akademinë Ronaldinjo, një projekt i yllit brazilian, i cili promovon “Verërat e Kampionëve”, por ndërkohë ka kohë që ka nisur të hapë akademi për rritjen e talenteve në shumë vende të botës. Në Vlorë është hedhur ideja dhe Idrizi ka ndërmend ta realizojë, sapo të krijohet kompleksi sportiv i Flamurtarit, sepse është e qartë që nevojiten shumë fusha stërvitore për të hapur një akademi serioze.
Për “Sport Ekspres”, Fabio Kordela ka shpjeguar projektet e tij në Shqipëri, gjatë darkës së organizuar nga themeluesit e EFA-s, Andi Matraxhiu dhe Florin Biba.
Synimi i vizitës në Shqipëri
“Jam në Shqipëri mbi të gjitha sepse e kam pasion futbollin. Më bëhet qejfi që Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara kohët e fundit, po nuk është surprizë për mua, e njihja edhe më parë Shqipërinë dhe e prisja këtë ecuri. Për këtë arsye, nuk është se e zbuloj tani këtë vend dhe erdha enkas. Mua më pëlqen shumë Shqipëria dhe më pëlqen të eksploroj Europën. Nuk kam asnjë objektiv të veçantë, së pari kam ardhur të takoj miq, ndërsa më pas të krijoj kontakte, bashkëpunime, sepse në futboll nuk i dihet asnjëherë. Ndonjëherë mund të lindin projekte edhe nga hiçi, duke bërë muhabet”.
De Biazi e Panuçi
“I njoh mirë të dy, Xhanin e njoh edhe personalisht. Mendoj se De Biazi ka bërë një punë të shkëlqyer, erdhi në Shqipëri, u përshtat me ambientin, me mentalitetin, e jetoi këtë eksperiencë në maksimum dhe u bë shqiptar, duke e eksportuar edhe jashtë eksperiencën e këtushme. Për sa i përket Panuçit, është i ri dhe shumë ambicioz, është i zoti, ndaj jam i sigurt që do të bëjë gjëra të mira në Shqipëri”.
E ardhmja e futbollit shqiptar
“E njihja futbollin shqiptar që më parë, kam qenë i vëmendshëm edhe ndaj të rinjve. Para ca kohësh më propozuan emrin e një lojtari ende minoren, Kristi Markut, që nuk mund të luante në Hungari, ndaj erdhi pak vite më vonë dhe e mbajtëm, sepse kisha besim se do të bëhej një lojtar interesant. Shqipëria është një vend që ka shumë talente dhe do të rritet edhe më shumë se kaq”.
Vizita dhe projekti Ronaldinjo në Vlorë
“Vlora nuk është emër i panjohur për mua, jemi ndeshur me Honvedin në Europa League dhe u kualifikuam. Kishim një ekip me moshë shumë të re, me një buxhet mjaft të vogël, rreth 1 milion euro, ndaj ishte një sukses i madh. Presidenti i Flamurtarit ka një projekt mjaft ambicioz dhe interesant, duke punuar me të rinjtë. Biseduam për projektin “Ronaldinho Academy” dhe mund të krijohet një bashkëpunim i mirë. Natyrisht, për momentin akademia nuk hapet dot edhe në Vlorë, pasi presidenti Idrizi na ka thënë që mungojnë terrenet dhe duhen ndërtuar 10 fusha. Kur këto të ndërtohen, gjithçka do të ecë me shpejtësi, projekti mbetet ”.
Vera, si pasion përtej futbollit
“Unë jam rritur mes verës, gjithë jetën kam prodhuar verë, paralelisht me futbollin. Duke e pasur pasion të madh, vendosa të krijoj këtë skuadër yjesh, duke përdorur verën, pasi nuk kam mundësi ta krijoj skuadrën e yjeve në futboll. Bufon është një legjendë, pastaj janë Uesli Shnajder, Ivan Zamorano, tani edhe Ronaldinjo, që është një ndër futbollistët më të mëdhenj në histori”.