Veni-Vidi-Vici-Gjici, politika e gabuar e një presidenti me përvojë!

Egoja dhe dëshira e presidentit Safet Gjici për të fituar është për t’u admiruar, madje mund të vendoset në një paralelizëm me atë të perandorit të famshëm romak, Jul Çezari. Ky i fundit arrinte t’i mposhte kundërshtarët e tij me dhelpëri, duke mos bazuar gjithçka te forca.

Gjici është ndryshe, ai nuk e njeh shumë dinakërinë. Po flasim për atë të fushës së blertë, jo të zyrave… Kukësi i tij zhvilloi një nga ndeshjet më të dobëta kundër Valetës, pasi e mbylli me rezultatin 0-0. Miqtë nga Malta ishin më lart, pasi dominuan fushën dhe kishin raste të pastra shënimi. Nëse do të kishin një sulmues goli, takimi mund të ishte mbyllur me rezultatin 0-3.

Vendasit, Kukësi ynë, ishte mjaft dobët. Një ekip që nuk lidhej fare dhe nuk arrinte të bënte 3 kombinime radhazi. Kjo shkaktoi tërmet dhe acaroi pafund numrin një të klubit i cili mund të shkarkojë trajnerin Peter Pakult. Themi mund, pasi mund të ketë “prapa-kthehu”, pasi në mbledhjen e djeshme, vendimi u mor për largimin e kreut të pankinës. Austriaku është prej atyre trajnerëve që kanë treguar b*le, në Shqipëri nuk i kemi parë shpesh. Ribashkimi duket i vështirë për palët.

Gabimi i madh i Pakultit është pranimi për të ndryshuar aq shumë ekipin dhe për të afruar shumë lojtarë të rinj. Në takimin kundër Valetës luajtën për herë të parë me fanellën e Kukësit 7 lojtarë. Formacioni kishte 5 futbollistë të ardhur në verë, sigurisht nuk kishte kompaktësi dhe ekipi nuk kishte përthithur thuajse asnjë skemë të teknikut austriak. Këtu fillon dhe mbaron gabimi i Pakultit, pa harruar dhe përgjegjësinë e drejtorit sportiv, Nderim Nexhipi.

Presidenti Safet Gjici ka një filozofi të çuditshme, pasi mendon se nëse shpenzon sa më shumë para, mund të fitojë. Nuk është e thënë, pasi në futboll duhen plane të mirëfillta dhe projekte afatgjata. Kukësi gaboi shumë në merkato, pasi afroi pafund duke humbur boshtin e ekipit. E njëjta filozofi si në çdo merkato, pasi zëvendësohet 60 – 70% e ekipit. Numri një i klubit duhet të kishte fituar dhe akomoluar përvojë të mjaftueshme deri tani, pasi ka arritur gjithçka në Shqipëri dhe ka kaluar me sukses ture në Europë. Autoriteti dhe protagonizmi i Gjicit shkon përtej gjithçkaje, nëse do të kishte gjenialitetin për të thënë shprehjen e famshme të Çezarit do ta modifikonte në Veni-Vidi-Vici-Gjici!
Kukësi e nisi me “autogol”, fatkeqësisht…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *