“Vendi i huaj nuk bëhet kurrë i yti”! Rrëfimi nga Hamidi: Më kërkoi Zvicra, por më thirri gjaku shqiptar

Ata në Zvicër janë sjellë shumë mirë me mua. Kam pasur shanse të mëdha të luaja, por jam menduar mirë dhe kam ecur me shprehjen që vendi i huaj nuk bëhet kurrë i yti. Më ka thirrur gjaku shqiptar.” E gjithë Shqipëria dhe jo vetëm, krenohet me Berat Gjimshitin, djaloshin e lindur në Preshevë e që po kalon momente të shkëlqyera, duke u lakuar shpesh si një nga mbrojtësit më të mirë në Europë.

Në të njëjtin vend ka ardhur në jetë një tjetër talent, kësaj radhe në futbollin e femrave. Ajo quhet Mimoza Hamidi, shqiptarja që është rritur në Zvicër, por e lindur në Preshevë në vitin 1998. Shpesh e krahasojnë me Gjimshitin, e kjo lidhet me faktin se të dy i përkasin së njëjtës vendlindje, ndërsa në pozicione loje janë të ndryshëm. Ai një mbrojtës, e Mimoza një sulmuese. E fortë, e patrembur, e guximshme… fiks një shqiptare.

Edhe pse ka shkuar që e vogël në Zvicër, sërish i është dashur të përballet me idenë se futbolli nuk mund të luhej nga ajo, pasi ishte vajzë. Kur prindërit e saj regjistruan të vëllanë në një klub futbolli, ajo shkonte së bashku me ta dhe e ndiqte në fundjavë. Pas disa kohësh, shprehu dëshirën për ta provuar edhe ajo, por i ati ishte kundër. E megjithatë, aq e vogël sa ishte, ajo nuk hoqi dorë, por këmbënguli që të luante. E provoi rreth një javë dhe më pas u regjistrua në po të njëjtin klub, ku stërvitej vetëm me djemtë. “Im vëlla është më i vogël se unë. Kur ishte 5 vjeç, prindërit e regjistruan në një klub futbolli. Kishin dëshirë ta shihnin në fushën e blertë dhe të bëhej një futbollist i madh. Mbaj mend që shkonim çdo fundjavë dhe e shikonim dhe unë ëndërroja shpesh të isha pjesë e lojës. Mënyra se si stërviteshin, si luanin.. Ata ishin fëmijë, ashtu sikurse edhe unë. Një ditë i thashë prindërve të mi se edhe unë dëshiroja të luaja futboll. Babi ishte kundër, pasi thonte se futbolli nuk është për vajzat dhe duhet të ndiqja shkollën.

Por më pas, iu mbush mendja, pasi e pa që edhe pse isha fëmijë, kërkesa ime ishte shumë serioze. Ndërsa mamin e kisha në krah dhe i thonte gjithmonë tim eti që ta provoja. Kishte bindjen se ishte diçka që do më kalonte me moshën. Nisa të stërvitem me vëllanë në klubin ku ai stërvitej për rreth një vit. Tani i kam mbështetësit më të mëdhenj në jetë.”

Nga një kërkesë fëmijësh, futbolli u kthye në një çështje serioze për Mimozën, e cila nuk e mendonte se do ta shihte ndryshe futbollin kur të rritej edhe pak. Në një kamp të ekipit të Young Boys, ku e kishin regjistruar prindërit, nga të gjitha lojërat, pa dyshim ajo ndiqte më shumë futbollin. Për fat të mirë, një ditë aty rastis të ishte edhe një trajnere këtij klubi, e cila u interesua për këtë talent të vogël shqiptar. “Një vit, pasi mbarova shkollën, prindërit më regjistruan në një kamp të ekipit të Young Boys, që mos të rrija në shtëpi, por të angazhoheshadhe të ishim më sociale. Nga të gjitha lojërat që bënim aty, mua më tërhiqte gjithmonë topi i futbollit. “Më thërriste”. Një ditë, ndodhi që aty ishte edhe një trajnere e Young Boys-ave, që më pa se si luaja. Ajo pati interes dhe më ftoi të bëhesha pjesë e ekipit. Jam futur në ekipet e grupmoshave të kësaj skuadre dhe kam qëndruar për një kohë të gjatë, derisa pata ftesë nga ekipi i madh i Young Boys dhe kalova aty.”

Skuadra e Young Boys ka qenë një shkollë më vete për të. Nga një skuadër periferike, në një ekip me emër, e më pas kalimi te Zyrihu, ku për fat të keq, nuk pati shumë minuta në dispozicion. “Young Boys ka qenë dhe do të mbetet shkolla më e mirë ku kam kaluar. Eksperiencë e paharrueshme. Aty i kam mësuar të gjitha, aty jam rritur. Pastaj kam qëndruar thuajse një vit pushim. U shkëputa nga futbolli. Më pas kalova tek ekipi i Zyrihut, ku nuk m’u dha shumë mundësi për të luajtur. Tashmë jam pjesë e ekipit të Bazelit, një ekip me emër të madh dhe shpresoj të bëj mirë. Eksperiencë e re!”

Një vit shkëputje nga futbolli. Shkolla, puna, futbolli. Pasioni dhe detyrat. Në një moment, Mimoza duket sikur u lodh dhe vendosi të hiqte dorë nga pasioni, për t’i lënë më tepër hapësirë shkollës dhe punës. Arriti të diplomohej në Fakultetin e Ekonomisë, por mendjen e kishte te futbolli. “Ka qenë një periudhë që vendosa të shkëputem nga futbolli. Vendosa ta lë. Ka qenë një kohë ku lodhesha shumë. Isha në shkollë, isha në punë, luaja futboll. Por kuptova pas 2-3 muajsh kuptova se nuk rrija dot pa luajtur, por sërish vendosa t’i qëndroja fjalës që i kisha dhënë vetes. Derisa kalova tek ekipi i Zyrihut. Aty u duk sikur nisi sërish jeta ime në futboll. Por ia kam dalë, kam përfunduar studimet në Fakultetin e Ekonomisë dhe aktualisht jam në punë dhe luaj futboll.”

Kur ka qenë më e vogël, i është dukur intriguese Kombëtarja e Zvicrës. Në rrëfimin e saj për fshf.org, ajo tregon se ka qenë pjesë e disa seleksionimeve të zhvilluara nga përfaqësuesja zvicerane si dhe ka qenë pjesë e ekipeve zinxhir të moshave. Kur në 2017, Kombëtarja shqiptare e ftoi të ishte pjesë e ekipit kuqezi, ajo nuk pranoi në mënyrë direkte. Ishte mes dy zgjedhjeve, vendi ku kishte lindur, apo vendi ku ishte rritur.

Kam qenë pjesë e disa seleksionimeve si dhe e ekipeve zinxhir të moshave. Kur më erdhi ftesa nga Shqipëria dhe më kërkuan të bëhesha pjesë e Kombëtares, nuk isha gati. Isha mes një dileme të madhe, pasi thuajse në të njëjtën kohë më erdhi edhe ftesa nga Zvicra. Por kur duhet të vendosja, kam thënë Shqipërinë dhe nuk e kam diskutuar më. Ata në Zvicër janë sjellë shumë mirë me mua. Kam pasur shanse të mëdha të luaja, por jam menduar mirë dhe kam ecur me shprehjen që vendi i huaj nuk bëhet kurrë i yti. Më ka thirrur gjaku shqiptar. E kam ndjerë veten shumë mirë aty, por nuk është e njëjta gjë.”

Grumbullimi i parë me Kombëtaren i ka shërbyer të “vulosë” vendimin e saj për të qenë pjesë e ekipit të drejtuar nga Armir Grima. “Grumbullimi i parë ka qenë në kuadër të ndeshjes që kishim kundër Malit të Zi. Nuk di ta shpreh aq mirë me fjalë ndjenjën që kam përjetuar, por ka qenë e veçantë. Më kanë pritur shumë mirë, më kanë afruar të gjitha vajzat e ekipit si edhe stafi. Në këtë grumbullim kam kuptuar që nuk do të mund të kisha bërë zgjedhje më të saktë në jetë.”

Pavarësisht se është rritur në Zvicër, ajo mbetet një tifoze e përjetshme e Shqipërisë, ndërsa shprehet se fanella e Kombëtares është e rëndë, por ajo po mundohet ta mbajë sa më lart. “Kam qenë gjithmonë tifoze e Shqipërisë, që prej momentit kur kam filluar të luaj futboll. Jo vetëm unë, por të gjithë si familje. Vjen ndoshta edhe nga fakti se jemi shumë patriotë. Edhe kur e vesh fanellën kuqezi, e kuptoj rëndësinë që ka. Është e rëndë për mua, por mundohem që ta mbaj sa më lart dhe uroj të shënoj sa më shumë gola.

Për Mimozën, futbolli nuk ka diferenca. Prindërit e saj gjithashtu janë ndërgjegjësuar dhe janë të lumtur që të dy fëmijët janë pjesë e sportit. “Sot është bërë normale që edhe vajzat të merren me futboll. Prindërit duhet të na kuptojnë dhe të na përkrahin e nga ana tjetër ne duhet të luftojmë fort e të mos dorëzohemi. Sot, babi dhe mami janë shumë të lumtur që si unë, ashtu edhe vëllai kemi ndjekur ëndrrat tona..që na kanë çuar drejt jetës së shëndetshme”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *