Veliu vë në siklet Dajën: Të më kujtonin për Kukësin, e frenoja festën

Ndonjëherë heronjtë janë ata, nga të cilët pritej më pak. Kështu ndodhi te Flamurtari, ku pas merkatos së verës, Franc Veliu nuk cilësohej më zgjidhje e parë. Dëmtimet e Allës dhe Sirgi e ndryshuan situatën.

Veliu është titullar te kuqezinjtë, madje ishte protagonist në duelin për Europën me Kukësin. Autor i golit që zhbllokoi ndeshjen e fituar 2-1 nga vlonjatët. Pavarësisht gabimit në golin e Kukësit, që fatmirësisht nuk ndikoi në rezultat, mbrojtësi tregoi se është një garanci.

Trajneri Ilir Daja do të jetë jo pak në siklet kur Alla dhe Sirgi të kthehen nga dëmtimet. Veliu është aty për të rivalizuar për një fanellë titullari dhe flet si lider: “Goli të jep kënaqësi, por fitorja ka më tepër rëndësi. Titulli? Duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës. Natyrisht të gjithë duan të renditen sa më lart dhe jo në vendet e fundit”.

Për golin ndaj Kukësit dhe festën e pakursyer, Veliu nuk pranon që ajo të lidhet me aventurën e pafatë me Kukësin. “Festova ashtu sepse ishte goli që zhbllokoi një ndeshje të rëndësishme. Nuk e mendova që kisha përballë Kukësin, po të ma thoshte dikush do e frenoja entuziazmin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *