Kosova e sheh veten në rivalitetin historik të italianëve me gjermanët. Pas rënies së “panzerave” në Ligën B, tifozët përtej Adriatikut kanë nisur të tallen me rivalët e mëdhenj: “Vitin e ardhshëm në Ligën e Kombeve do të luani me Kosovën”. Ndërkohë, përfaqësuesja e drejtuar nga Bernard Shaland vazhdon të rritet dhe të mahnitë.
Mbi të gjitha, Kosova nuk njeh humbje. Një përrallë e nisur rreth dy vjet më parë, mes shumë vështirësive organizative të përfaqësueses, që tashmë përgatitet të festojë arritjen e parë të madhe në histori, në arenën ndërkombëtare: ngjitjen në Ligën C.
Asnjë humbje në vitin 2018. Skuadra e kapitenit Samir Ujkani dhe e yjeve të tjerë vazhdon të ecë përpara me projektin e saj, për të shërbyer si krenaria e shtetit më të ri të Europës. Synimi është rritja e talentëve vendas, të cilët kanë arritur të jenë protagonistë edhe me klubet e mëdha në kontinent.
Emra të rëndësishëm si Rrahmani, Kryeziu, Rashica, Zhegrova, Avdijaj apo Valon Berisha, por edhe shumë yje të tjerë. Megjithatë, në javët e fundit, ai që ka fituar vëmendjen është Vedat Muriqi. Sulmuesi 24-vjeçar luan me Rizesporin në Turqi. Kosova ka një prej reparteve ofensivë më të frikshëm në Europë dhe kjo natyrshëm ka bërë që të lindin debatet se cilët lojtarë duhet të luajnë.
Ndërkohë që diskutimet vazhdojnë, Muriqi ka luajtur 15 ndeshje, duke shënuar 4 gola. Rrugën e rrjetës e gjeti edhe në suksesin e fundit 5-0 në fushën e Maltës. Me golin e realizuar, ai u bë golashënuesi më i mirë në historinë e shkurtër të përfaqësueses së Kosovës. Për më tepër, ai është një lojtar i cili punon shumë për skuadrën, ndërsa ishte i përfshirë në tre nga pesë aksionet e golave të shënuar, pa harruar edhe rastet e shumta të krijuara gjatë 83 minutave kur ishte në fushë.
Tifozët kanë nisur t’a etiketojnë si “Zhirudin e Kosovës”. Profili është i ngjashëm me atë të kampionit të botës me Francën. Sakrifica dhe dedikimi në kauzën e skuadrës janë prioriteti, ndërsa golat vetëm një bonus. Një zbulim, i përfaqësueses që po befason Europën.
Pas talentëve të panumërt, të cilët janë bërë të famshëm në ligat më të mëdha, edhe futbollistë me profil më të ulët si Vedat Muriqi po arrijnë të shkëlqejnë dhe të jenë protagonistë te Kosova. Përfaqësuesja e re është fare pranë arritjes së madhe. Tashmë pritet sfida vendimtare ndaj azerbajxhanit në stadiumin “Fadil Vokrri”, ajo që mund ti dhurojë skuadrës së Shaland kualifikimin historik në Ligën e Kombeve.