Interi i ri, ai i Luçiano Spaletit, është fitues, të paktën në këtë fillimsezoni. Skuadër kompakte, e organizuar dhe më në fund e aftë të mbushë stadiumin, sepse sot në “San Siro” për ndeshjen kundër Spalit kishin vërshuar tifozët zikaltër, që po nisin të ëndërrojnë gjëra të mëdha.
Kundër Spalit duhej fitorja dhe ajo erdhi, 2-0, pa e tepruar, me një gol në pjesën e parë e një gol në fund.
Goli i parë u shënua me ndihmën e teknologjisë, sepse arbitri shtesë këshilloi kryesorin që të mendohej mirë para se të vendoste për një faull të akorduar jashtë zone. Pas 3-4 minutash konsultime me videon, u vendos për penallti. Vendim i drejtë, por i vonuar pa fund, aq sa kjo është një arsye për polemika të reja, sepse kështu i bie ritmi krejtësisht ndeshjes.
Ikardi shënoi nga pika e bardhë dhe i ka mbetur vetëm Benevento për t’i shënuar, nga gjithë skuadrat e Serisë A këtë sezon.
Në pjesën e dytë Interi priti qetësisht rastin për golin e dytë, edhe pse pa shkëlqyer gjithnjë në lojë ndaj një Spali solid në mbrojtje, goditi traversën me Shkriniar në minutën e 73-të dhe dyfishoi në të 87-tën me Ivan Perishiç. Kroati është në superformë, firmosi rinovimin ditët e fundit dhe në 6 ndeshjet e fundit në Serinë A ka një mesatare të frikshme: 3 gola e 6 asiste.