“VAR-i eliminoi gabimet e mëdha, ta aplikojmë në Kategorinë e Parë”, Duka: Kemi fokusin te ndërtimi i fushave

Një tjetër vit është mbyllur për futbollin shqiptar. Shqipëria në këtë 2021-sh ka arritur objektivin e saj për të dalë e treta në kualifikueset për Kupën e Botës 2022. Një edicion i suksesshëm për kuqezinjtë, që ngjiten një vazo më lart në renditjen e FIFA-s. Ndërkohë sezoni i ri i Superiores ka nisur me risi, duke u aplikuar për herë të parë sistemi VAR në kampionatin shqiptar të futbollit. Për të folur më tepër rreth Kombëtares, Superiores dhe futbollit shqiptar në përgjithësi, vetë kreu i FSHF-së, Armand Duka ka dhënë një intervistë për “Supersport”.

“VAR-i është një hap shumë pozitiv në eliminimin e diskutimeve të mëdha, që vërtetë vendosin fatet e një ndeshjeje futbolli. Eliminon rreth 90% të gabimeve të mëdha, pasi dihet që ndërhyn në bazë të një protokolli. Unë mendoj se ka qenë një risi shumë e mirë, e dhimbshme ekonomikisht, por ka eliminuar shumë diskutime. Ne e ndjejmë shumë një investim të tillë, pasi jemi federatë e vogël dhe tani na dyfishohen shpenzimet, të cilat i merr gjithmonë përsipër federata dhe nuk ua kemi lënë në ngarkim klubeve si në shumë vende të tjera. Ka qenë diçka me kosto, por pozitive, ndërsa tani synimi është që VAR-i të aplikohet edhe në Kategorinë e Parë. Në fund të fundit, duhet të përmirësohen edhe arbitrat, pasi duhet të tregojnë të njëjtën sjellje.

Marrëdhënia me qeverinë? Nuk kemi marrëdhënie të brishtë, pasi nuk mund të bëjmë asgjë pa një raport korrekt me qeverinë. Ne si grup interesi, si komunitet futbolli, kemi kërkesat tona për zhvillimin e këtij sporti dhe i kërkojmë qeverisë të bëjë detyrat e veta, tregon se është një marrëdhënie e shëndetshme. Nuk ka pasur një realizim të kërkesave tona, por nuk kemi marrëdhënie të brishtë. Ne do të vijojmë të përsëritim këto kërkesa dhe madje edhe më shumë sesa mundet qeveria, që nga ana tjetër do të duhet të shohë mundësitë e veta. Në fakt ata kanë mundësi të bëjnë edhe më shumë për të ndihmuar në organizimin e klubeve, pasi kërkohet një lloj mbështetjeje nga ana e qeverisë dhe politikës në tërësi, për të miratuar një ligj sporti dhe për futbollin në veçanti, që zë rreth 90% për nga numrat e njerëzve që e ushtrojnë atë. Kosova ka shitur emrin me një shifër të konsiderueshme, shumë më të madhe nga kjo që marrim ne, pasi ligji i sportit e favorizon atje. Në Kosovë kanë blerë edhe emrin e Kategorisë së Parë dhe madje po investojnë edhe në shumë klube, pasi këto para u zbriten nga taksat. Nëse ne nuk bëjmë hapa të tillë, shumë shpejt Kosova do të na kalojë.

Fatkeqësisht investimet në fushat e futbollit janë të tilla që zgjasin dhe cënojnë edhe ecurinë e kampionatit, megjithatë në kampionatin shqiptar e kemi ngushtuar shumë hendekun e rezultateve në shtëpi apo jashtë. Kemi parë Rrogozhinën të fitojë në Laç, gjë që ishte utopike edhe për ekipe si Partizani, pasi diferencat mes ekipeve tona janë zbutur shumë, ndaj luajtja jashtë nuk ka ndikuar në objektivat e skuadrave. Po merren masat për të qenë gati për të pritur ndeshje edhe stadiumet e Kukësit e Teutës, ku ka përfunduar investimi dhe po pritet zhvillimi në parametrat optimalë i barit të fushës.

Nuk kemi plane për ndërtime stadiumesh të reja, por kemi në proces dhe projekt, rikonstruksionet dhe ndërtimin e shumë fushave të reja për stërvitje, jo vetëm për klubet profesioniste, por edhe për fëmijët dhe amatorët. Siç e dini, ne kemi nisur organizimin e shumë kampionateve amatore në të gjithë Shqipërinë. Fusha stërvitore kemi nisur në Durrës, ku njëra ka përfunduar dhe tjetra drejt përfundimit. Thuajse në të gjithë bashkitë e vendit kemi gjetur bashkëpunim për bashkëfinancimin. Kemi nisur një projekt të madh në Lushnjë, ku është hedhur edhe lopata e parë e nisjes së punës, pasi ambientet atje ishin katastrofë. Nuk refuzojmë asnjë propozim për ndërtimin e fushave sportive, pasi ky do të jetë edhe fokusi ynë kryesor. Mirëpresim çdo propozim, qoftë nga institucionet, qoftë nga individët, pasi ky është hapi kryesor për të ardhmen”, ka deklaruar Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online