Vangjeli: Goli i Partizanit, arbitri veproi saktë

Mbrojtësi i Skënderbeut, Kristi Vangjeli, ishte ndër më të mirët në fushë në ndeshjen e sotme dhe në Supersport u përzgjodh si njeriu i ndeshjes. Mbrojtësi korçar pas ndeshjes komentoi fitoren, afrimin e titullit kampion dhe finalen e kupës, ndërsa konfirmon se anulimi i golit të Partizanit ishte i drejtë, duke garantuar se Abdurahimi shkaktoi faull ndaj tij.

– Me shishe me ujë me vete, duket që keni shpenzuar shumë energji.

– Kishim probleme me ujin dhe tifozët e Tiranës na ndihmuan, për të mundur edhe kundërshtarin, sepse na sollën disa shishe.

– Edhe kur Skënderbeu duket jo në maksimum, sërish fituat.

– Ishte një ndeshje e barabartë, vuajtëm pak në pjesën e parë nga presioni i kundërshtarit dhe humbëm qarkullimin e topit, që është pika jonë më e fortë. Në pjesën e dytë ndryshuam komplet dhe dolëm në lojën tonë. Kishim mungesa, por e treguam edhe sot forcën tonë, morëm tre pikë që na afrojnë shumë me titullin.

– Goli i anuluar Partizanit, a ishte faull ndaj jush?

– Të them të drejtën, është faull i pastër. Sulmuesi më shtyu nga pas dhe vendimi i arbitrit ishte shumë i saktë. Unë isha më pranë topit, por u rrëzova pas një të shtyre nga pas dhe më pas sulmuesi i Partizanit mori topin.

– Soue e Xhejms jashtë, si ishte pa ta?

– Janë lojtarë kryesorë të ekipit, mbajnë peshë shumë të madhe në ekip dhe me lojtarë të tillë është shumë e lehtë në sulm. Ishte një problem shumë i madh mungesa e tyre sot dhe u pa qartë që nuk prodhuam raste për shënim, por kemi shumë lojtarë cilësorë, që e treguan se e meritojnë të jenë në këtë ekip, si Krasniqi, që tregoi se është i aftë të luajë te Skënderbeu, ose të shkojë e të luajë jashtë Shqipërisë.

– Titulli, i sigurt tashmë.

– Festojmë kur të jemi matematikisht kampionë. Presim Kukësin, ajo është finalja e radhës, pastaj kur të jemi kampionë do të mendojmë edhe për finalen tjetër, kundër Laçit në kupë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *