Valon Berisha i ka bërë një reklamë të shkëlqyer vetes në sezonin e fundit, me paraqitjet e shkëlqyera në Europa League, ku ishte një ndër figurat qendrore të Salcburgut, skuadër që habiti me lojën e vet të bukur dhe shumë sulmuese.
Lacio e provoi në kurriz formën fantastike të Berishës dhe gjithë Salcburgut, ndaj u përfol për një kalim të mesfushorit te klubi ku punon si drejtues Igli Tare.
Megjithatë, për momentin Lacio nuk ka lëvizur dhe mesfushori i Kosovës është një hap larg Sampdorias. Klubi gjenovez po tregohet shumë aktiv në merkato dhe po vepron në disa drejtime, ndërsa ka arritur marrëveshjen me Salcburgun për Berishën. Tashmë pritet vetëm përgjigja e 25-vjeçarit,i cili e ka vetë në dorë të ardhmen dhe ndoshta po mendohet për faktin se dëshiron të luajë në kupat e Europës, gjë që Sampdoria nuk ia ofron.