Valencia befason, Reali ndalet për herë të parë këtë sezon

Reali i Madridit nuk është i pandalshëm. Ky është mesazhi i dhënë mbrëmë nga Valencia, që çdo vit e bën nga një surprizë të madhe dhe mbrëmë në “Bernabeu” barazoi 2-2, në një ndeshje spektakolare.

Pa Kristiano Ronaldon Reali ia kishte dalë mbanë shumë mirë deri tani, por trajneri Zinedin Zidan nuk ka pasur mundësi të meremetojë si duhet gropat në qendër të mbrojtjes, ku mungonin titullarët Ramos e Varan, i pari i pezulluar dhe i dyti i dëmtuar. Luajtën Naço e Kasemiro dhe Valencia përfitoi sa mundi.

Në fakt, gjithçka nisi mirë për Realin, sepse Asensio, ylli i ri i Spanjës, shënoi që në minutën e dhjetë një gol fantastik me të majtën, por Soler barazoi 8 minuta më vonë, në një aksion që nxorri në dritë gjithë problemet mbrojtëse të Realit.

Në pjesën e dytë Zidan futi edhe Kovaçiç dhe Reali shtoi presionin, në një ndeshje që u bë shumë nervoze, me kartonë pa fund. Te Valencia debutonte Xhofri Kondogbia dhe ish-dështimi i Interit shënoi në minutën e 77-të, me një gjuajtje të fortë në hyrje të zonës. Realin e shpëtoi nga humbja Asensio, i cili sërish me të majtën shënoi direkt nga goditja e dënimit. 4 gola me 7 gjuajtje këtë sezon për supertalentin e Realit, por nuk mjaftoi për të marrë 3 pikët.

SPANJË / LA LIGA

Real Madrid – Valencia   2-2

Shënues: Asensio 10’, 83’ / Soler 18’, Kondgobia 77’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *