Sezonin e kaluar ishte absolutisht një prej zbulimeve të kampionatit. Ylli i ri i Laçit të talentuar që i befasoi të gjithë me paraqitjet përtej çdo pritshmërie. Uzuni arriti të bëhej protagonist edhe në Europa League, me golin vendimtar që i dhuroi kualifikimin kurbinasve përballë qipriotëve të Anorthosis, ndërsa spikati edhe në Norvegji, në humbjen 3-0 ndaj Moldes.
Optimizmin e zakonshëm në fushë, sulmuesi beratas e transmetoi edhe në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së kthimit. “Jemi të barabartë në fushë e lojës, luajmë 11 kundër 11. Në futboll mund të ndodhë çdo gjë. Kemi rastin e freskët nga Roma-Barcelona dhe kjo na jep besim”, deklaroi 23-vjeçari.
Nga objektivi për të realizuar një përmbysje të madhe, te ëndrra për të luajtur në një ligë të rëndësishme europiane. Uzuni nuk e fsheh dëshirën për të provuar një aventurë jashtë vendit. “Një lojtar e ka ëndërr të luajë në një kampionar jashtë dhe besoj se ndeshjet në Europë janë vitrina më e mirë”, tha talenti beratas.