Laçi ka zhvilluar ndeshjen e fundit miqësore para ndeshjes me Anorthosis Fagamusta. Këtë herë kurbinasit kanë triumfuar me rezultatin 3-0 ndaj Kastriotit. Të tre golat e këtij takimi u shënuan në pjesën e parë të takimit dhe protagonist ishte Myrto Uzuni me dy rrjeta të tundura.
Takimi u hap në minutën e 15-të nga mesfushori Bamidele Jampolski, i cili realizoi me një goditje nga jashtë zonës. Mesfushori izraelit, por me origjinë nga Nigeria, mposhti portierin Kuka. Mesfushori 29-vjeçar në të shkuarën ka luajtur edhe me Makabi Haifa dhe tanimë po tenton të luajë në Superiore.
Tre minuta më pas ishte Uzuni ai që dyfishoi shifrat me një goditje brenda zonës. Të njëjtën gjë bëri edhe në fundin e pjesës së parë, duke i çuar shifrat në 3-0. Zëvendësime të shumta në pjesën e dytë dhe krutanët ishin më dominues, duke iu afruar golit me Kabiru, por portieri Selmani fillimisht dhe më pas Vata, nuk lejuan prekjen e rrjetës.