“Uzuni është lojtari shqiptar më në formë”/ Shpëtim Duro: Kristal Abazaj do të afrohet me Kombëtaren

Myrto Uzuni është lojtari shqiptar më në formë i momentit dhe në Kombëtare duhet të gjendet një vend për sulmuesin e Ferencvaroshit. Shpëtim Duro ka bërë analizën e tij për kuqezinjtë teksa ishte i ftuar në emisionin “Fax Sport”, duke cilësuar pikërisht se Uzunit duhet t’i gjendet vendi në skemën e Rejës. Për të vazhduar më tej ish-trajneri i Kukësit nuk mund të harrojë lehtë Kristal Abazajn. Me sigurinë e madhe për një rikthim të hershëm te Kombëtarja, Duro bie në dakortësi me skemën 3-5-2 të Rejës, por kërkon më tepër kujdes në zgjedhjen e krahëve.

“Kombëtarja përbën gjithmonë interes të madh. Sidomos në këtë kohë që jemi pa futboll në Shqipëri. Trajneri Reja ka gjithë eksperiencën, është trajneri i mirë dhe ka pasur gjithë kohën në dizpozicion. Patjetër që kur del lista e Kombëtares ka mendime të ndryshme. Nëse nuk vijnë këtë herë disa lojtarë, do të vijnë herën tjetër.

Për mua skema 3-5-2 është shumë e mirë për ekipet e nivelit të dytë siç jemi ne, sidomos kur përballemi me Kombëtare të nivelit të lartë. Por kam disa rezerva pasi futbollistët e nivelit të mirë që kemi ne dalin jashtë skemës së lojës. Në këtë skemë duhet të vendosen lojtarët e duhur në krahë.

Nuk kam qenë dakort kur kanë luajtur Roshi dhe Uzuni në krahë, pasi si vend i përket Trashit dhe Hysajt. Tani është detyra e trajnerit është që ti gjej vendin edhe Roshit, ti gjej vendin edhe Uzunit në këtë skemë, që për mua është lojtari shqiptar më në formë. Ai luan kudo dhe në të gjitha pozicionet në sulm. Kur një trajner ka një lojtar të tillë që luan në çdo pozicion, atëherë mund të ndryshosh lehtësisht skemën përgjatë ndeshjes.

Ka edhe disa futbollistë që vijnë si kandidatura për Kombëtaren, mes tyre Çekiçi dhe Seferi. Meqë e kam stërvitur vetë dhe është në kulmin e tij, Kristal Abazaj do të afrohet sërish në Kombëtare pasi bëri super sezon me Kukësin dhe u fut menjëherë në ritëm në Turqi”, u shpreh Shpëtim Duro. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *