“Uroja të më binte Juventusi“, Uzuni nën emocionet e Champions-it: Është një reklamë e mirë për mua, ofertat nuk do mungojnë

Një ëndërr është ajo që do të përjetojë Myrto Uzuni këtë sezon, ku do të luajë në kompeticionin më të lakmuar për klube, Champions League. Një model i pastër frymëzimi është talenti beratas, që i tregon të gjithëve se si ngjiten shkallët në karrierë falë punës së palodhur dhe përkushtimit. Nga balta e rrugës dhe kategoritë inferiore të futbollit shqiptar e deri në turneun e më të mirëve të Europës, sa larg ka shkuar Uzuni.

Sulmuesi i Kombëtares kuqezi ka dhënë një prononcim për “Sport News“ në “News 24“, ku tregon të gjitha emocionet e shortit të Champions League, teksa përballë do të ketë dy nga klubet më të mira të botës si Juventusi dhe Barcelona, që vijnë së bashku me dy nga lojtarët më të mirë që ka njohur historia e futbollit, Mesi dhe Ronaldo. Ky i fundit që është edhe idhulli dhe frymëzimi i Myrto Uzunit.

“Duke zhvilluar dy vite në Kroaci thjesht doja të ndërroja ambient. Pasi vetë drejtuesit e Ferencvaroshit kishin shprehur dëshirën për Champions League-n normalisht presioni rritej edhe te mua. Por kjo ndikoi pozitivisht dhe uroj t’ua kem shpërblyer.

Është një super arritje për klubin. Të gjithë janë të lumtur për këtë histori. Në klub u takuam sonte dhe duam të kërkojmë vendin e 3-të. Personalisht mezi e prisja shortin dhe isha duke uruar që të ishte Juventusi në grup. Por realisht të përballesh me dy nga ekipet më të mirë në botë kundër Ronaldos dhe Mesit besoj se kjo është një ëndërr për çdo lojtar.

Kujt do ia kërkoj fanellën mes Mesit dhe Ronaldos? Normalisht Ronaldos. Ai është idhulli im dhe duke kthyer kokën mbrapa të gjithë e dinë si ka arritur aty, me sakrifica. Ai është një shembull.

Kjo është një reklamë shumë e mirë për mua personalisht që të tregoj më të mirën, por realisht jam i fokusuar te Ferencvarosh. Dua të shënoj sa më shumë gola dhe nëse e bëj këtë ofertat nuk do të mungojnë, pasi edhe kjo është një reklamë shumë e mirë për një futbollist.

Për mua është një arritje e madhe të luaj kundër këtyre ekipeve kaq të mira, Për sa i përket Kombëtares unë kam për detyrë të shënoj sa më shumë gola me Ferencvarosh dhe është trajneri ai që vendos.

Vlerësimet e mediave italiane? Normalisht që jam ndjerë mirë. Por nuk jam shumë i fokusuar te çfarë shkruajnë. Detyra ime ëshë të punoj sa më shumë në fushën e lojës”, ka thënë Myrto Uzuni./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *