Besnik Hasi është transferuar në Arabinë Saudite. Tekniku gjakovar ka bashkëpunuar me menaxherin Ilir Halili, i cili drejton “Stars Sport Management”. Për këtë lëvizje Halili ka folur në “Supersport”.
“Kam kompaninë dhe stafin tim që merren me zbulimin e lojtarë. Gjithmonë jam në kërkim të talenteve, sidomos shqiptar, pasi i tillë jam edhe vetë. Besnik Hasin e njeh si ish-lojtar i kombëtares dhe gjithashtu si trajner. E kontaktova pasi ka një CV shumë të mirë. Këtë verë ishte kontakti ynë i parë”, është shprehur fillimisht menaxheri i njohur që punon kryesisht në Lindjen e Mesme.
Më tej ai shtoi: “Kemi folur edhe për Legian e Varshavës dhe Olimpiakosin. Vërtetë janë skuadra shumë nacionalistë, që dallohen për anti-shqiptarizëm. Ai është profesionist, ka vite që jeton në Belgjikë dhe nuk e ka parë me atë sy. Ndonjëherë mendon se ke bërë zgjedhjen e duhur, por mund edhe të kesh bërë të gabuarën”.
Drejtimi i Shqipërisë është një dëshirë e Hasit, por ende nuk është gati. Menaxheri Halili deklaron: “Si shqiptar do e këshilloja të merrte drejtimin e kombëtares shqiptare. Ai kurrë nuk e ka mohuar, edhe kur kemi folur bashkë. Ai akoma nuk është i gatshëm për të ndërtuar një kombëtare, mendon se është më mirë për momentin të drejtojë një klub”.
Hasi është trajner, po ashtu edhe Bogdani. Tare po bën karrierë si drejtor sportiv, ndërkohë që edhe Skela pritet të veshë tutat e trajnerit. Për Halilin ai brez sot do bënte më shumë: “Është një brez i artë. Të gjithë kanë pasur suksese si lojtarë, sot si drejtues dhe trajnerë. Një nga më të suksesshmit është Igli Tare, drejtor i Lazios. Atëherë kemi pasur një kombëtare shumë më të mirë. Me brezin e atyre do ishte diçka më e mirë sot”.
Në të shkuarën Ilir Halili ka bashkëpunuar edhe me Zlatko Daliç, nënkampion bote me Kroacinë. “Daliç ka punuar te Dinamo, atë kohë e ndiqja. Më pëlqente shumë, kishte ambicie. U ula me të dhe bisedova. Kishte dëshirë të punonte në Arabi. I organizova një takim dhe nënshkroi. Edhe në Arabi pati suksese, pasi nga një klub mesatar si Al Faisali mori drejtimin e Al Ahli, që është klubi më i madh. Kemi kontakte, por jo marrëdhënie pune. Sigurisht që i uroj suksese për atë që ka arritur”, përfundoi Halili.