Policia blindon “Elbasan Arena”-n për finalen e sotme. Do të jenë 222 policë që do të garantojnë sigurinë. Sipas policisë shqiptare: “Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, për zhvillimin sa më normal para, gjatë dhe deri në përfundim të ndeshjes kombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve përfaqësuese Tirana–Skënderbeu, e cila do të zhvillohet më datë 31.05.2017, në orën 19:00 në stadiumin “Elbasan Arena”.
“Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth stadiumit “Elbasan Arena”, dhe para sheshit te stadiumi. Nuk do të lejohet lëvizja dhe parkimi i mjeteve nga rruga “Kamber Sejdini” deri tek “Kryqëzimi i rrugës së Tapetave”. Nuk do të lejohet lëvizja dhe parkimi i mjeteve në segmentin rrugor nga “Kryqëzimi i rrugës së Tapetave” deri tek “ Ish Konservimi”.
Do të ketë shtim të shërbimeve në dy anët e bulevardeve “Qemal Stafa” dhe “Aqif Pasha”, me qëllim parandalimin e çdo veprimi që cenon rendin publik. Lidhur me ndeshjen do të angazhohen 222 punonjës policie, nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, Komisariatet, Stacionet vartëse të saj dhe FNSH-ja. Të gjithë sportdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, të jenë të pajisur me biletë dhe me kartë identiteti dhe të mos kenë me vete: sende të forta, shishe, fishekzjarrë, monedha apo metale (të çfarëdolloj), çelësa të ndryshëm, në të kundërt nuk do të lejohen të futen në stadium.
Në hyrje të stadiumit do të kontrollohen të gjithë sportdashësit. Të gjitha lokalet që ndodhen, përreth Stadiumit, do të jenë të mbyllura. Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan i kërkon qytetarëve që të minimizojnë më datë 31 Maj lëvizjen e tyre me automjet brenda qytetit të Elbasanit, ç’ka do të sillte një ndihmesë të madhe në zhvillimin sa më normal të këtij aktiviteti”, thuhet në deklaratën e policisë shqiptare.