“Unë trajner i Liverpool-it? Do të ishtë një kënaqësi”, Gasperini e harron fitoren në “Anfield”: Nesër duhet të shënojmë

Gasperini ka folur për “Sky Sport” në prag të ndeshjes së kthimit me Liverpool-in. Trajneri i Atalantës ka theksuar se ekipi i tij duhet ta harrojë atë fitore 0-3 në “Anfield Road”. Ai është shprehur se bergamaskët duhet të hyjnë në fushë me mentalitetin për të shënuar. Sa i përket zërave se ai mund të jetë zëvendësuesi i Jurgen Klopp-it në stolin e Liverpool-it, Gasperini është përgjigjur se do të ishte një kënaqësi për të nëse do të kishte interesim nga klubi anglez.

“Nesër është ndoshta ndeshja më e rëndësishme në historinë e Atalantës. Do të ishte gabim i madh të mendonim për 3-0 e ndeshjes së parë. Duhet të mendojmë se duhet të kualifikohemi duke filluar 0-0 në këtë fushë. Duhet t’i qasemi kësaj ndeshjeje si në Liverpool, duke menduar se na duhet të shënojmë dhe të marrim rezultat.

Zërat se unë mund të zëvendësoj Klopp-in në stolin e Liverpool-it? Kjo është një periudhë krahasimesh. Nëse do të ishte interes, atëherë do të ishte një kënaqësi. Gjithsesi, tani mendojmë vetëm për Liverpool-in dhe më pas për Fiorentinën në Kupën e Italisë. Dy momente thelbësore dhe të bukura. Duhet të jemi të lumtur me atë çfarë kemi bërë”, ka deklaruar Gian Piero Gasperini./Halit Delibashi-Sport Ekspres/